Përfaqësuesja më lartë e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ka reaguar lidhur me rastin e paprecedentë të ndodhur ndaj gazetarit të “Ora News” Elton Qyno ku pasi iu kërkua dorëzimi i burimeve të informacioneve të lajmeve që ai publikon, prokuororët e SPAK vendosën kontrollin e banesës dhe më pas sekuestrimin e sendeve të tij të punës.
Përmes faqes zyrtare në platformën sociale “X”, përfaqësuesja më e lartë në Europë e lirisë së medias deklaron se konfidencialiteti i burimeve gazetareske është kyç për lirinë e medias dhe duhet të mbrohet rreptësisht nga ligji dhe çdo praktikë tjetër.
“Të tronditur që në Shqipëri gazetarit Elton Qyno iu bë presion për disa orë për të zbuluar burimet e tij pasi autoritetet i kontrolluan shtëpinë dhe zyrën, duke i sekuestruar pajisjet.
Konfidencialiteti i burimeve gazetareske është kyç për lirinë e medias dhe duhet të mbrohet rreptësisht nga ligji dhe çdo praktikë tjetër”, thekson përfaqësuesja më lartë e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro në reagimin e saj.