Bota Rasti i Kinës, Gjermanisë dhe Koresë së Jugut: Koronavirusi rikthehet në vendet...

Rasti i Kinës, Gjermanisë dhe Koresë së Jugut: Koronavirusi rikthehet në vendet e para që dolën nga karantina

“Nuk ka mbaruar ende”. Kjo ishte deklarata e parë e Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pas zbulimit të dhjetëra rasteve të reja me koronavirus në kryeqytetin e vendit Seul, duke ngjallur frikë për një valë e dytë epidemie në vendin e Azisë Lindore.

Koreja e Jugut ishte ndër vendet e para që u përball me një epidemi të madhe të koronavirusit, dhe dukej se ishte në rrugën e duhur për të lehtësuar kufizimet, pas disa javësh izolimi. Por kur autoritetet menduan se po e linin pas krahëve epideminë, një sërë rastesh të reja pa lidhje epidemiologjike me njëra-tjetrën filluan të shfaqeshin në kryeqytet. Presidenti Moon paralajmëroi popullin e tij të dielën se nuk duhet ta ulin kurrë vigjilencën.

Gjermania

Në Europë, Gjermania ishte mbajtur si shembulli më i mirë sesi duhet përballuar epidemia, por numri i rasteve të reja është rritur ndjeshëm dy ditët e fundit.

Ajo u pa si një histori suksesi falë sistemit të shkëlqyer shëndetësor dhe testimit të hershëm në masë. Por me lehtësimin e masave, numri i rasteve të reja ka pësuar një rritje të menjëhershme. Kancelarja Angela Merkel këshilloi dje qytetarët që të respektojnë masat edhe pas lehtësimit të aspekteve kufizuese të futura për shkak të pandemisë koronavirus.

Merkel tha se ajo beson se është shumë e rëndësishme të theksohet përsëri fakti që po vjen një fazë e re e pandemisë dhe se tani, për shkak të zbutjes së masave kufizuese, do të jetë e nevojshme të respektohen rregullat themelore të mbrojtjes nga transmetimi i virusit.

Ajo theksoi se qytetarët duhet të respektojnë masat e distancës fizike dhe të veshin maskë mbi gojë dhe hundë, si dhe të tregojnë respekt për njëri-tjetrin.

Qeveria federale gjermane dhe landet kishin rënë dakord për shtrëngimin e shpejtë të masave në rast se virusi kthehet, por deri më tani asnjë nuk duket i gatshëm të rikthejë karantinën. Merkel tha se nëse ndonjë qark i tejkalon 50 raste të reja me koronavirus për 100,000 banorë, masat e izolimit do të rivendosen atje. Gjatë fundjavës, disa qarqe në të gjithë vendin tejkaluan atë kufi.

Rastet e fundit ende mund të rezultojnë të jenë një valë shpërthimi që do të përmbahet, por fakti se vendet që kanë dalë të parat nga karantina, po raportojnë të gjitha raste të reja, është tekej shqetësuese.

Ministria gjermane e Shëndetësisë po e merr seriozisht këtë rritje të nivelit të përhapjes së Covid-19 në vend edhe pse zyrtarët nënvizojnë se kjo nuk do të thotë se situata nuk është nën kontroll. Duke ditur se procesi i rikthimit i jetës sociale dhe ekonomike mund të zhbëhet në çdo moment, Merkel iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura.

“Është shumë e rëndësishme të tërheq sërish vëmendjen për faktin se po hyjmë në një fazë të re të pandemisë dhe për këtë do të jetë e nevojshme, që bashkë me zbutjen e masave, të sigurohemi që njerëzit të zbatojnë rregullat bazë; të ruajnë distancën, të mbulojnë gojën dhe hundën dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”, u shpreh Merkel.

Singapori

Vëzhguesit janë ndaluar edhe tek Singapori,  i cili në fillim të muajit prill kishte më pak se 2,000 raste, dhe tani ka më shumë se 23,000 pas heqjes së masave të distancës sociale.

Kina

Edhe Kina, po fut në fuqi disa nga masat e izolimit, pasi dy qytete raportuan raste të reja të virusit. Shulan, në provincën Jilin në verilindje të vendit, ndodhet në izolim, pas 11 rasteve të konfirmuara rishtas. Jilin kufizohet me Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Por më alarmant janë rastet e reja në Wuhan, qyteti nga ku u shfaq për herë të parë virusi. Wuhani ishte qyteti i parë në botë që hyri në bllokim, duke u rikthyer në normalitet muajin e kaluar pas 76 ditësh.

Qyteti kinez i Wuhanit po ndërton një plan për të testuar të gjithë popullatën e tij prej 11 milionë banorësh për Covid-19. Plani është në fazat fillestare dhe po kërkohet një mënyrë se si testimet mund të bëhen brenda 10 ditëve.

Kjo vjen pasi Wuhani, ku u shfaq fillimisht virusi, shënoi rritje të rasteve të reja duke shtuar frikën për një valë të dytë infeksioni.

Përpara kësaj fundjave, qyteti kinez nuk raportonte të infektuar që prej 3 prillit. Me përmirësimin e situatës, Wuhani hoqi masat kufizuese strikte me 8 prill, megjithatë normaliteti i plotë nuk është rikthyer ende.

Mi Feng, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës u bëri thirrje njerëzve të “qëndrojnë vigjilent dhe të forcojnë mbrojtjen personale kundër virusit”. Ai shtoi se grupimet e reja ishin një kujtesë për të shmangur tubimet sociale dhe për të kërkuar këshilla mjekësore ose testime nëse dikush shfaq simptoma të virusit.