Me anë të Bledar Dervishit, këshilltarit ligjor, Presidenca reagoi sërish pasditen e sotme në lidhje me zhdekretimin e Presidentit Meta të datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Dervishi u shpreh se akti i Presidentit të Republikës është i mbështetur në Kushtetutë. Ai theksoi se është vetëm Gjykata Kushtetuese institucioni, sipas tij, që mund të japë një vlerësim në lidhje me këtë akt.
“Janë lëshuar lumenj fyerjesh ndaj institucionit të Presidentit. Presidenti vlerëson se kjo situatë nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës. Presidenti thekson se dekreti është një akt që është marrë në mbështetje të plotë të dispozitave kushtetuese. Ky akt është bazuar në argumente kushtetues dhe është në fuqi dhe i zbatueshëm nga të gjithë. Dekreti i Presidentit është një akt me një natyrë të veçantë dhe askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të vlerësojë vlefshmërinë e tij. Çdo anashkalim i tij është i dënueshëm nga ligji”, u shpreh ndër të tjera këshilltari ligjor i Presidentit.
Dervishi u shpreh se këshillat bashkiakë do të ushtrojnë funksionin e tyre deri në formimin e këshillave të rinj. Po ashtu, ai tha edhe se kryetarët aktualë do të vazhdojnë detyrën deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.