Sport Reali kalon me spektakël në “ferrin” andaluzian, hipotekon titullin

Reali kalon me spektakël në “ferrin” andaluzian, hipotekon titullin

Reali i Madridit bën goditjen e vitit në La Liga duke kompletuar rokadën e madhe në ndeshjen më spektakolare të sezonit për skuadrën e Ancelottit, atë në Sevilla.

Ndoshta është thjesht çështje kohe titulli për “Los Blancos”, por me siguri skuadra e Ancelottit ka krenari për të shitur. Madrilenët nuk u rrëzuan në kështjellën andaluziane të Sevillas që iu fal një pjese të parë stratosferike që shtangu të besuarit e trajnerit italian. Dy gola të shpejtë në “Sanchez Pizjuan” nga Rakitic dhe Lamela elektrizuan atmosferën në stadiumin e bardhekuqve ku Julen Lopetegui i dha leksion futbolli ish-skuadrës së tij por vetëm në këtë fraksion loje.

Ndryshoi diçka te Reali i tij Ancelotti duke hedhur në fushën e lojës Rodrygo-n menjëherë pas rifillimit të ndeshjes dhe braziliani ia shpërbleu me një gol të shpejtë pas asistit të Carvajal. Më pas Fernandez dhe i zakonshmi Benzema në kohën shtesë, shpallën festën në kampin madrilen që bëri një rokadë të pamendueshme pas pjesë së parë shumë të dobët.

Diferenca me andaluzianët që mbeten në vendin e tretë shkon në 15 pikë, ndërsa deri në fund të sezonit mbeten për t’u luajtur edhe 6 javë.