Sport VAR i anulon festën Messit, por jo Neymarit dhe Mbappes, PSG fiton...

VAR i anulon festën Messit, por jo Neymarit dhe Mbappes, PSG fiton derbin e Francës

PSG i afrohet akoma dhe më shumë titullit kampion në Ligue 1 falë fitores në takimin ndjekësin më të afërt Olimpik Marsejë. Kryeqytetasit mundën 2-1 kundërshtarin, që renditet 15 pikë larg kryesuesve, kur kanë mbetur dhe gjashtë javë deri në fund të këtij edicioni.

Parizienëve do t’u duhen edhe katër pikë që të sigurojnë matematikisht titullin, edhe pse mund t’u mjaftojë edhe vetëm 1 fitore, për shkak se në fund llogaritet diferenca e golave.

Sa i takon përballjes së javës së 32-të, kryesuesit e kampionatit shënuan të parët me brazilianin Neymar, i cili ktheu në gol një harkim të Verratit. Megjithatë, pas gjysmë ore lojë Caleta-Car vendosi ekuilibrin pas një daljeje të gabuar të Donnarummas.

PSG ishte dukshëm më superior dhe në të 41-tën VAR i ndërpreu festën Messit, por në kohën shtesë të fraksionit të parë gjyqtari akordoi një 11-metërsh, pas konfirmimit nga teknologjia, e nga pika e bardhë e penalltisë Mbappe u tregua i saktë, duke i ridhënë epërsinë PSG-së.

Në pjesën e dytë rezultati nuk ndryshoi me PSG që bën gati festën e titullit, ndërsa  Marseja duhet të kujdeset për të ruajtur vendin e dytë të renditjes, për të siguruar kualifikimin për në fazën e grupeve të Champions League edicionion e ardhshëm.