Të gjendur pranë një ngërçi në institucionin e drejtësisë, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, shprehet se kur u hartuar reforma në drejtësi nuk mendohej se niveli i korrupsionit të ishte në këto nivele.
E ftuar në studion e “Top Talk”, ka deklaruar se dorëzimi i mandateve nga ana e opozitës vjen në një moment kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po përgatiste edhe rankimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.
Por sipas saj kjo nuk do ta bllokojë e procesin, pasi përveçse Kuvendit, edhe Presidenti ka të drejtë të propozojë tre kandidatë, duke apeluar që edhe Presidenti të dalë mbi palët.
“Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit e kanë filluar procedurën për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht në momentin kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po miraton aktet nënligjore dhe fillimin e rankimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, opozita vendosi të heqë dorë nga mandatet, duke synuar të krijojë një shtytje të këtij procesi.
Kjo nuk e bllokon procesin, sepse Presidenti i Republikës ka të drejtën të zgjedhë 3 anëtarët e tij për në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës i zgjedhur aty për përfaqësuar unitetin e popullit, për të dalë jashtë partive do ta ushtrojë detyrën e tij Kushtetuese.
Uroj që Presidenti i republikës do të ushtrojë funksionet e tij Kushtetuese. Sikurse edhe Kuvendi, i cili pavarësisht se nuk i ka 84 vota për miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka një mekanizëm zhbllokues. Kandidati që rankohet i pari automatikisht është i zgjedhur”, tha ajo.
Ndërsa djegien e mandateve nga ana e opozitës, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e sheh si një lëvizje të opozitës për të dëmtuar integrimin europian.
“Opozita gjithmonë vendos pengesa dhe barriera të cilat nuk dëmtojnë vetëm opozitën. Me sjelljen e saj në radhë të parë ka dëmtuar veten e saj, por ka dëmtuar shumë edhe imazhin e Shqipërisë, e interesin e shqiptarëve. Mos harroni se nesër presim një delegacion të Parlamentit Europian. Në këtë situatë kur ne kemi përmbushur pjesën më të madhe të detyrave të lëna dhe ajo që është e rëndësishme: Dialogu politik, opozita nuk e plotëson. Atëherë kuptohet se çfarë dëmi i bëhet integrimit europian”, tha ajo.