Deri më tani, Reforma në Drejtësi ka trazuar vetëm qetësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve apo solemnitetin e Gjykatës Kushtetuese si dhe Gjykatës së Lartë.
Së shpejti reforma do të japë efekte edhe në gjykatat e tjera. Nga 37 gjykata në vend parashikohet që 10 deri në 12 gjykata të shkrihen. Presidenti i CEPEJ (SEPEZH) , Komisionit Europian për Efikasitetin në Drejtësi në Këshillin e Europës tregon gjatë një interviste për Top Channel mbështëtjen e ndërkombëtarëve.
“Ne kemi hartuar dokumente dhe udhëzime mjaft të rëndësishme dhe njëra ka të bëjë me hartën e gjyqësorit dhe aksesin. Lidhen me disa kërkesa kryesore që kanë të bëjnë me aspektin gjeografik, me numrin e popullsisë dhe densistetin e qytetarëve në zona të caktuara dhe përveç kësaj ka edhe aspekte të rëndësishme që duhen marrë parasysh nga qeveri, që lidhen për shembull me transportin dhe aksesin. Në vendet lindore të Evropës ka patur raste ku gjykatat janë shkrirë, por ajo që ne bëjmë pra speezh, është se mbajmë ndërtesat ekzistuese të gjykatave por ndryshon menaxhimi, ato kanë një menaxhim të vetëm të disa ndërtesave. Aty ku kuptohet se një gjyqtar apo gjyqtare e caktuar nuk ka shumë çështje, çështja nuk lidhet me një juridiksion të caktuar, por me gjyqtarin”, shprehet Ramin Gurbanov, presidenti i CEPEJ.
Mes gjykatave që do shkrihen ka gjykata që nuk kanë volum të larte të shqyrtimeve gjyqësore siç është gjykata e Pukës, e Burrelit, e Sarandës, e Kavajës. Ato do të funksionojnë me gjyqtarë të komanduar me afat 2- vjeçar
“Ne kemi një projekt shumë të suksesshëm në bashkëpunim ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, për efikasitetin dhe përmirësimin e cilësisë së gjyqësorit në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka treguar vullnet të fortë politik me ndërmarrjen e kësaj reforme kaq të gjerë e të thellë në gjyqësor, në mënyrë që të rritej cilësia por edhe pavarësia. Këshilli i Lartë Gjyqësor u formua në përputhje me standardet për të siguruar një funksionim të pavarur dhe llogaridhënës të sistemit të gjykatave, duke rritur funksionin efikas të gjykatave. Këshilli i Lartë Gjyqësor luan një rol mjaft domethënës dhe të rëndësishëm në lidhje me gjyqësorin në të gjitha vendet, në veçanti ato sigurojnë promovimin por edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut , synimin e ligjit dhe funksionimin e pavarur dhe transparent të gjyqësorit në vend”, sqaron Ramin Gurbanov, presidenti i CEPEJ.
Mbledhja që do të shqyrtojë hartën e re gjyqësore do të shqyrtohet në datën 1 tetor nga KLGJ që në këtë ide mbështetet nga Komisioni Evropian për efikasitetin e drejtësisë.