Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame tha se stafi në drejtorinë që ai drejton, pjesa më e madhe e punonjësve nuk ka arsimin përkatës dhe se do të bëhet një reformë, duke përthithur inxhinierë dhe arkiteketë.
Sipas tij numri i inxhinierëve është shumë i ulët në Kadastër, krahasuar me profesionet e tjera, që nuk kanë lidhje me punën që bëjnë. Gjatë një deklarate për mediet, zoti Lame bëri thirrje që miq e të afërm të mos ndërhyjnë tek ai për punësime, pasi do të jenë pjesë e Kadastrës vetëm inxhinierët dhe arkitektët.
“Iu bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave të reja që të bëhen pjesë e garës për të punuar në Kadastër. Në total janë 74 vende të lira, ku pjesa më e madhe janë në Tiranë dhe Vlorë. I them pretendentëve në punë që të marrin pjesë në konkurrim dhe të kenë besim tek unë.
Gjithashtu iu bëj thirrje miqve, deputetëve, gruas sime dhe prindërve që të mos më ndërhyjnë për të futur në punë njerëz që nuk kanë lidhje me profesionin. Në kërkojmë inxhinierë, arkitektë dhe gjeodetë”, tha Lame, duke thënë se reforma në Kadastër do të vijojë, duke shkarkuar personat që nuk kanë arsimin përkatës.