Franca kërcënohet nga një ngërç total, ndërsa miliona punonjës pritet të marrin pjesë në grevën kundër reformës në pensione. Punonjësit e arsimit dhe transportit do t’u bashkohen stafit të policisë, spitaleve e aeroportit në atë që konsiderohet si greva më e madhe mbarëkombëtare në vite.
Aksioni u organizua nga sindikatat që kundërshtojnë planet e Macron për një sistem universal pensionesh, i cili sipas qytetarëve do të përkthehet në rritje të moshës së daljes në pension ose reduktim të pensioneve.
Autoritetet po përpiqen të gjejnë mënyra për të parandaluar ngërçin, ndërsa i druhet një përsëritje të grevës për pensionet në vitin 1995 që paralizoi sistemin e transporteve për 3 javë.
Sipas ministrit të Brendshëm, Christophe Castaner 250 demonstrata pritet të zhvillohen në mbarë vendin, disa prej te cilave mund të degjenerojnë në dhunë.
“E dimë se do të ketë shumë njerëz në protesta, e dimë se ka rreziqe. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se pjesëtarë radikalë të jelekëverdhëve do të marrin pjesë në protestat e Parisit dhe jo vetëm”, tha Christophe Castaner.
Aksioni industrial pritet të zgjasë përtej së enjtes dhe disa udhëheqës sindikatash kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë grevën deri sa presidenti Emannuel Macron të heqë dorë nga planet e tij. Një sondazh sugjeroi se 69 për qind e qytetarëve, kryesisht ata të moshës nga 18 deri në 34 vjeç, e mbështesin grevën.