Ish deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për shtyp pas takimit të radhës të ekspertëve të opozitës për reformën zgjedhore.
Alibeaj komentoi draftin e prezantuar së fundmi nga ana e mazhorancës për reformën zgjedhore duke thënë se po tentohet t’iu hidhet hi syve shqiptarëve. Ai ironizoi dhe propozimin për çështjen e shitblerjes së votës sipas të cilës mjafton një betim i krerëve të partive dhe atë për fenomenin e intimidimit të administratës gjatë fushatës.
“U diskutua drafti i bërë publik dhe nga ana e qeverisë. Zgjidhjet e bëra në këtë draft tregojnë qartë seriozitetin dhe dëshirën për të bërë në fakt një reformë reale. Por të konstatosh dhe të propozosh për çështjen më të rëndë që është ajo e shitblerjes së votës se na u mjaftokërka vetëm me një deklaratë solemne që mund të bëjë Edi Rama se nuk do të vjedhë më vota, i bën të kuptojë të gjithë përfshirë dhe ndërkombëtarët se kjo vetëm reformë zgjedhore nuk është”, deklaroi Alibeaj.