Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur një reformë të thellë në sektorin e ujësjellësit që do të përmbyllet në 12 muaj. Lajmin e dha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë, ku njoftoi edhe kalimin e 3 akteve të shpronësimit.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kaluar 3 akte të lidhura me shpronësimet që janë; Bypass-i i Vlorës, për të përfunduar punën deri në fillim të sezonit veror 2022; në Patos për rivitalizimin e qendrave të qytetit për një shëtitore aty, si dhe një shpronësim në Roskovec që lidhet me ujësjellësit”.
Duke u ndalur te ky i fundit, ministrja theksoi se reforma në sektorin e ujit është prioritet i qeverisë që do të nisë në çdo bashki. Ajo njoftoi se fondet e hedhura në këtë sektor nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, ndërkohë që theksoi se po diskutohen disa mundësi për mirëmenaxhimin.
“Është pjesë e strategjisë së qeverisë për të investuar tek ujësjellësit në gjithë territorin. Kemi nisur reformë të sektorit të ujësjellësit që mbaron për 12 muaj. 900 mln euro të investuar kanë rritur kushtet e ujësjellësve në Shqipëri, por nuk janë indikatorët që ne prisnim pas kësaj shume investimesh. Në përputhje me autonominë vendore, shërbimet për qytetarët janë prioritet për qeverinë Rama, ne do të nisim intensivisht reformën për ujin në secilën bashki. Janë diskutuar disa mundësi nga agregimi i disa ndërmarrjeve dhe te bashkëmenaxhimi i pushtetit vendor dhe qeverisë. Do të nisim një tur në bashki dhe ju do të njoftoheni për të gjitha këto”.