Gjykata per Krimet e Renda refuzon kërkesën për të liruar nga “arresti shtëpiak” dy ish-deputetët Arben Ndoka dhe Arben Cuko.
Dy ish deputetët u arrestuan gjatë operacionit “Vol-vo 4” në tetor të vitit 2018. Ndoka, i dyshuar për disa vepra penale mes te cilave “tjetërsim pronash” dhe “falsifikim dokumentesh”, ndërsa Cuko per “korrupsion”.
Në tetor të 2018, me dy vendime të veçanta të Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë arrestuar Arben Çuko dhe Arben Ndoka, ish-deputetë të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Së pari është arrestuar Çuko, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i dhe më herët ish-deputet , ka përfunduar në pranga nën dyshimet për korrupsion. Ai ishte shkarkuar nga detyra më 3 shtator të 2018 “për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion”, siç shpjegoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila kishte bërë dhe propozimin për shkarkimin e tij.
Zonja Gjonaj, pak pas arrestimit, deklaroi përmes një njoftimi se menjëherë pas shkarkimit të Çukos kishte nisur “një hetim i thelluar administrativ. “Në cilësinë gjithashtu edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve”, theksoi atë kohë zonja Gjonaj.
Ish drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dyshohet se merrte ryshfet në këmbim të lejeve apo transferimeve të të dënuarve.
Pak pas arrestimit të ish deputetit socialist, u njoftua se të njejtin fat kishte patur dhe ish kolegu i tij Arben Ndoka. Ky i fundit është arrestuar së bashku me të vëllain dhe një grup personash të tjerë që dyshohen “për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
“Hetimi disa mujor ka mbledhur prova se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave”, shpjegon më tej njoftimi i policisë.
Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Disa javë më vonë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.
Emri i Arben Ndokës u lakua për një kohë të gjatë në vitin 2014, kur ai ishte deputet. Partia Demokratike publikoi në atë kohë dokumentat sipas të cilave Ndoka rezultonte të ishte dënuar në Itali, në fund të viteve ’90 me mbi 7 vjet burgim, për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara”, dhe se një pjesë të dënimit e kishte shlyer në burgjet shqiptare.
Ndoka, i cili foli për një ngjarje aksidentale, rezultonte të ishte liruar në vitin 2005 dhe më pas ai është angazhuar dhe në funksione drejtuese në administratën publike, deri dhe në Gardën e Republikës apo policinë e shtetit, sic ka pohuar ai vetë. Ndërsa deri para se të përfshihej në listat e socialistëve në zgjedhjet e 2013, ka qenë në postin e drejtorit në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në administratën e drejtuar nga demokratët.
Rasti i deputetit Ndoka, ndonëse pa u përmendur me emër, u përfshi në vitin 2015, në raportin e departamentit amerikan të shtetit mbi Trafikun e Personave. Në atë kohë ambasada amerikane në Tiranë, e cila përmes ambasadorit Donald Lu ka qenë e angazhuar direkt në përpjekjet për të parandaluar përfshirjen e personave të tillë vecanërisht në listat e kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, u shpreh se se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”.
Nën një trysni në rritje, në muajin shtator të vitit 2015, Ndoka dha dorëheqjen nga parlamenti, duke dorëzuar mandatin.