Pesë turistë spanjollë, të cilët kishin ardhur për pushime me jaht në Borsh janë sulmuar nga disa persona, që pretendohet se janë pronarët e një lokali.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje, ku mësohet se turistëve spanjollë nuk i ka pëlqyer shërbimi në një lokal dhe kanë tentuar të largohen.
Paraprakisht bëhet e ditur se furgoni i turistëve është ndjekur nga pronarët e lokalit, të cilët kanë goditur me grushte turistët dhe drejtuesin e mjetit.
Më pas kanë nxjerre armë të ftohta dhe kanë tentuar t’i godasin. Ata kane thyer xhamin e furgonit, i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
Furgoni ka arritur të largohet deri në vendin e quajtur Volloder ku është pikasur nga një furgon i FNSH, i cili ka dhënë ndihmën e parë.
Forca të shumta të policisë së Himarës, Sarandës dhe FNSH janë vënë në ndjekje të autorëve.
Në furgon ishin 5 spanjolle, shoferi dhe shoqëruesi nga Saranda. Ata kishin ardhur me jaht në Sarandë, raporton Ora News.