Varianti britanik i Covid ka regjistruar viktimën e parë në Maqedoninë e Veriut. Mediat vendase bëjnë me dije se në Maqedoninë e Veriut janë dy raste të konfirmuara me variantin e ri, ku një prej tyre është shëruar dhe tjetri fatkeqësisht ka humbur jetën.
Të infektuar kanë qenë dy qytetarë nga Shkupi dhe Ohri. Rast i parë është regjistruar në 4 Janar, ku pacienti nuk ka mundur të fitojë dot betejën me Covid. Rasti i dytë është regjistruar në 18 Janar dhe tashmë pacienti është shëruar.
Varianti i ri i Covid është përhapur në shumë vende të botës, ku një ditë më parë janë regjistruar dhe rastet e para në Kosovë.
Ndërkohë shkencëtarët po punojnë që të përshtatin vaksinat për të pasur efekt dhe për këtë variant të ri. Deri tani nuk ka të dhëna të plotë nëse vaksinat aktuale kanë efekt të plotë për të luftuar këtë variant të ri.
Varianti i ri i Covid u shfaq për herë të parë në Britani dhe mendohet se është më agresiv dhe më vdekjeprurës.