Presidenti Ilir Meta është shprehur i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias.
Meta thotë se “përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë”.
“Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri”.
Kreu i shtetit i bën thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara.
“Siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar: Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik; Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit; Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; Shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Sipas tij, liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.
“Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm”.
Ndërkaq, Meta ka shprehur mirënjohje dhe solidaritet për punën e mediave, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
“Përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira! Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian”.