Pas Polonisë, sfida e radhës është me Hungarinë. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe këtë të shtunë, trajneri Edy Reja pati një konferencë për gazetarët. Ndeshjen ndaj hungarezëve ai e konsideron si një mundësi për të rikuperuar pikë pas rezultatit, që sipas trajnerit italian, ndaj Polonisë ishte i padrejtë.
“Nëse i hedhim një sy rezultatit duket sikur na kanë masakruar, por nuk është kështu. Skuadra në vija të përgjithshme luajti mirë. Shpresoj ta rigjejmë frymën e ekipit. Sa i përket Polonisë pas golit të 3 gjërat u kompromentuan, por gjithsesi jemi në këmbë, kemi ndeshjen me Hungarinë që duhet fituar me çdo shans. Kemi shanse për të arritur objektivat. Çdo ndeshje është vendimtare. E dimë që hungaria ka skuadër të fortë, por duhet të jemi të fokusuar dhe të ndërgjegjshëm për të fituar që të marrim 3 pikë”, tha Reja.
Reja tha se do ta shikojë nesër se cilin formacion do të nxjerrë në fushën e blertë. Ai u shpreh se mund të ndryshojë modulin e lojës dhe foli për lojtarët e rinj të kombëtares, Brojën dhe Bajramin.
“Nuk mund të them që është Broja shumë i ri sepse ai numëron 6 paraqitje me kombëtaren. Ka pasur mundësinë që të tregojë veten dhe mund të them që kam pasur mundësi ta shoh në fushë. Nuk më ka dhënë ato përgjigje që unë pres, por megjithatë është lojtar i ri, i perspektivës. Ai do të jetë në stol gjatë ndeshjes me Hungarinë. Moduli mendoj se do të jetë i njëjti, por të shohim si do të shkojë situata me Bajramin, i cili është lojtar i mirë. Deri nesër në mëngjes do të më duhet të bëj një analizë me të gjithë lojtarët”, tha Reja.
Çdo ndeshje është decizive për Rejën dhe ekipi duhet të fitojë që të ëndërrojë për kualifikim në Botërorin e vitit tjetër.
“Për të dyja ekipet është ndeshje vendimtare, për të synuar deri në fund arritjen e vendit të dytë. Sigurisht Anglia është favorite për vendin e parë. Çdo ndeshje është vendimtare, dhe Shqipëri-Hungari është sfidë direkte që për ne nënkupton që duhet fituar me çdo kusht. Mendoj që çdo ndeshje në shtëpi, të marrim një fitore, që do të jetë jetike për ne që të vazhdojmë të ëndërrojmë për të pasur shanse për t’u kualifikuar në Botëror”, tha Reja.