As i kënaqur dhe as i mërzitur Edy Reja pas humbjes me Spanjën ku sipas tij Shqipëria e meritonte barazimin por gaboi duke dhuruar golat për iberikët.
Trajneri italian thekson se Shqipëria e bëri paraqitjen që duhej, por duhet përqendrim maksimal deri në sekondën e fundit.
“Duhej pak më shumë vëmendje sepse barazimi do të na ndihmonte. Kemi punuar shumë mirë në anën mbrojtëse dhe mendoj se dhuruam golin e Spanjës, do të merrnim një rezultat të mirë. Kemi pësuar në disa ndeshje të tjera, gola të tillë të dhuruar si me Poloninë e me Anglinë. Nuk mund të bëjmë hapin e madh përpara nëse bëjmë dhurata të tilla. Paraqitjen e bëmë dhe ishte e mirë por nuk e bëjmë dot hapin cilësor përpara edhe pse ndeshja ishte e mirë për ne. Do të donim të merrnim në shtëpi një barazim që e meritonim”.
Nota më negative dhe më pozitive..?
“Të gjithë kanë marrë vlerësim pozitiv për paraqitjen por nuk mund t’i dënoj unë këta djem që kanë shpenzuar shumë dhe nga ana taktike kanë bërë mirë dhe nuk ka gjëra negative. Por janë disa episode që po na dënojnë, rritemi por nuk përmirësohemi në këtë pike ku bëjmë gabime në fund gjithmonë. Këto nuk duhet t’i bëjmë më, ndodhin dhe më vjen keq për këto që ndodhin”.
Nga kush prisnit më shumë sot?
“Nuk është se nuk bëmë mirë sot dhe nuk është se nuk janë vlerësim të mjaftueshëm për lojtarët. Por në minutat e fundit duhet të bëjmë më mirë, bëmë mjaftueshëm dhe nuk mund të them se nuk pati reparte që nuk bënë mirë. Spanja nuk të lejon të marrësh frymë me lojën e saj. Me pak fat mund të pretendonim më shumë ndaj nuk mund të vendos vota për ekipin. Duhet të jemi të përqendruar për 100 minuta”.