Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka bërë publike listën me emrat e 25 lojtarëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Hungarisë dhe Polonisë.
Lista kuqezi ka pak ndryshime në krahasim me grumbullimin e fundit, teksa risia është rikthimi i Ivan Balliut, i cili po kalon një formë të mirë me Rayo Vallecanon-n në Spanjë. Ndërkaq, rikthehen në dispozicion Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku dhe Federic Veseli, të cilët munguan në ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike. Do të mungojë për shkak dëmtimi këtë herë mesfushorët Qazim Laçi dhe Armir Abrashi, i cili është dëmtuar pak ditë më parë dhe nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij për kuqezinjtë.
Pjesa tjetër e listës nuk ka ndryshime, teksa pas impenjimeve me klubet në fundjavë lojtarët do të grumbullohen të hënën në kompleksin Tropikal në Durrës për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, që janë vendimtare për Kombëtaren në eliminatoret e Botërorit. Shqipëria renditet aktualisht e dyta në Grupin I me 12 pikë pas 6 ndeshjesh, ndërsa më 9 tetor do të sfidojë Hungarinë në transfertë. Më 12 tetor në “Air Albania” kuqezinjtë do të presin Poloninë, aktualisht rivalin direkt për vendin e dytë.
Të hënën trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja do të dalë në konferencë për shtyp, ku do të shpjegojë edhe zgjedhjet dhe do të analizojë dy sfidat e radhës.
Më poshtë edhe lista e Kombëtares për dy ndeshjet e tetorit: