Bajerni i Mynihut ka mundur të mërkurën në mbrëmje Totenhemin 3-1, duke regjistruar një rekord më vete. Ishte fitorja e gjashtë për bavarezët në gjashtë ndeshje të luajtura në grup. Bajerni hyn kështu në historinë e Champions League si ekipi i parë gjerman që arrin 6 fitore në grup. Me fitoren ndaj Totenhemit të Mourinjos, bavarezët futen në grupin e vogël të skuadrave që kalojnë në fazën me eliminim direkt të Champions League me 6 fitore.
Kush janë skuadrat e tjera që e kanë arritur këtë gjë më parë? I pari që e ka arritur këtë rekord është Milani i epokës së holandezëve në sezonin 1992-1993, që i fitonte të gjitha ndeshjet në grupin e tij. Më pas e kanë bërë PSG-ja në sezonin 1994-1995 dhe Spartaku i Moskës në sezonin 1995-1996.
Nuk do të mungonin në këtë listë dy gjigantët spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid. Katalanasit e kanë arritur në sezonin 2002-2003, kurse madrilenët janë të vetmit që i kanë fituar të gjitha ndeshjet në grup dy herë, fillimisht në sezonin 2011-2012 dhe më pas në sezozin 2014-2015. Tani kësaj liste i është bashkuar edhe Bajerni i Mynihut, që ndryshe nga kampionati, në Champions po ecën me ritëm të frikshëm.