Arrin në nivele rekord çmimi i karburanteve në vend. Në pikat e shitjes me pakicë, çmimi i naftës dhe benzinës ka arritur nga 230 deri në 234 lekë për litër. Kjo është rritja e tretë brenda pak ditëve.
Vetëm një javë më parë, nafta shitej nga 192 në 194 lekë, çka do të thotë se çmimet janë rritur në nivele alarmante nga 38 deri në 42 lekë për litër.
Operatorët e tregut ia faturojnë rritjen e radhës shtrenjtimit të arit të zi në bursa. Sipas tyre, në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.
Për shkak të luftës Rusi-Ukrainë çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka prekur 118 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i lartë në 9 vitet e fundit.
OPEC ka deklaruar se pavarësisht situatës do të vazhdojë të mbajë të njëjtin nivel prodhimi sipas marrëveshjes së dakordësuar, edhe para konfliktit në Ukrainë.