Qeveria botërorë e futbollit, FIFA ka publikuar renditjen e kombëtare për muajin janar. Nuk ka shumë ndryshime të mëdha sa i përket lëvizjes së këtë muaj për ekipet përfaqësuese për shkak se këto dy muaj nuk ka pasur ndeshje zyrtare dhe miqësore.
Në 10 vendet e para renditja mbetet e pandryshuar. Belgjika mbetet e para dhe ndiqet nga kampionët e botës, Franca, ndërsa Brazili kompleton podiumin e kësaj renditje.
Nënkampionët e botës, Kroacia janë në vendin e katërt dhe ndiqen nga Anglia, Portugalia, Uruguai dhe Zvicra. Ndërsa 10 vendet e para kompletohen nga Spanja dhe Danimarka.
Sakaq sa i përket ekipit kombëtare shqiptar këtë muaj ka një rënie me një pozicion në renditje.
Kombëtarja kuqezi vijon të jetë me 1372 pikë, por është parakaluar nga Bolivia që është ngjitur në vendin e 60 me 1374 pikë. Nga rivalet e Shqipërisë në kualifikueset e Europianit, përveç Francës edhe Islanda me Turqinë kanë rënie, përkatësisht me nga një dhe dy pozicione.
Ndërsa Moldavia dhe Andorra nuk kanë lëvizur në pozicionet e tyre.
Për përfaqësuesen e Kosovës nga ana tjetër, vijon ngjitja e pandalshme. Ekipi dardan tashmë renditet në vendin e 130-të, në kuotën e 1113 pikëve.
Nga renditja e kaluar Kosova ka fituar një pozicion edhe pse ekipi i Shallandes nuk ka luajtur asnjë ndeshje në këto dy muaj.