Rëndohet më tej bilanci i aksidentit të ndodhur pasditen e së enjtes te rreth-rrotullimi i TEG-ut. Policia bën të ditur se edhe shoferi i automjetit tip “Audi”, 20-vjeçari Klevis Ruçaj ka ndërruar jetë.
“Në vijim të aksidentit të dhënë më parë, të ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetase, ju informojmë se: Si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital shtetasi K. R., 20 vjeç, drejtuesi i automjetit tip “Audi”, njoftoi policia.
Bashkë me të në makinë ishin dy vajza që kanë humbur jetën. Ato nuk janë identifikuar ende për shkak të plagëve të marra. Makina me të cilën ato udhëtonin është shkatërruar plotësisht dhe është shtypur.
Makina Audi A8ka thyer barrierat dhe ka rënë poshtë mbi automjet Hyndai që po udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Makina Hyndai drejtohej nga një 60-vjeçar i cili është plagosur bashkë me 2 pasagjerë të tjerë.
Është identifikuar vetëm njëra pasagjeret e cila quhet Alda Kurti, e cila ndodhet në spital. Burime në vendin e ngjarjes thanë se Audi A8 ka çarë barrierat e rrethrrotullimit dhe ka përfunduar në skajin tjetër të autostradës duke kaluar në ajër tre korsi dhe bordurën ndarëse të rrugës.
Shpejtësia e lartë dhe përplasja e fortë ka bërë që mjeti të shkatërrohet plotësisht.
Viktima: Klevis Ruçaj – 20 vjeç, shoferi i Audi
– Dy vajza ende të paidentifikuara – pasagjere në Audi
I plagosur: Q.K. – rreth 60 vjeç, shofer i Hyundai
E plagosur: Alda Kurti, – 51 vjeç, pasagjer në Hyundai
I plagosur: O.K, – 24 vjeç, pasagjer në Hyndai