Maqedonia e Veriut raportoi të enjten 6 viktima dhe 153 raste të tjera me COVID-19 duke e rënduar më tej bilancin total të pandemisë në 5,595 të infektuar, 265 prej të cilëve kanë vdekur.
Së fundmi autoritetet shëndetësore kishin kryer 1,279 teste, nga ku rezultuan 153 të infektuar, pjesa dërrmuese në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.
Prej nisjes së pandemisë, autoritetet maqedonase kanë kryer mbi 55 mijë teste, megjithatë ato nuk kanë treguar sukses në përmbajtjen e virusit, i cili në dy javët e fundit është rikthyer me një prirje të frikshme në rritje.
Aktualisht janë 3,164 persona të infektuar ku rastet në rritje të shtrimeve në spital po ngarkojnë pavijonin e infektivit.
Vetëm 2 javët e fundit në RMV vdiqën 91 pacientë me COVID-19, ndërsa 4 ditët e fundit janë shënuar 18 vdekje.
RMV aktualisht ka bilancin më të rëndë të pandemisë në rajon me një mesatare prej 127 vdekjesh për çdo 1 milionë banorë.