Situata e pandemisë në Itali rëndohet edhe më tej. 40,902 persona janë konfirmuar të infektuar vetëm brenda 24 orëve të fundit, duke vendosur edhe një rekord negativ në këtë drejtim, me shifrën më të lartë të të prekurve që prej fillimit të pandemisë. Rekord ishin edhe testimet, të cilat kaluan shifrën 250 mijë në një ditë.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë edhe 550 persona, duke e çuar në 44,139 numrin total të personave që e kanë humbur betejën me virusin.
Situata më e shqetësuese është ajo që paraqitet në spitale. Më shumë se 3 mijë persona aktualisht ndodhen në kujdes intensiv në të gjithë Italinë.
Di Maio: Campania është në gjunjë
Spitale të mbingarkuara, pacientë të trajtuar në makinat e tyre ose që vdesin në ambulanca, Napoli dhe rajoni i tij, Campania, i goditur rëndë nga vala e re e COVID-19, ka kaluar sot në “zonë” të kuqe”.
“Campania është në gjunjë”, tha Luigi Di Maio, ministri Italian i Punëve të Jashtme.
Campania përbën rreth 10 % të 30 000 deri në 40 000 rasteve të reja të regjistruara aktualisht çdo ditë në gadishull.
Sistemi i saj shëndetësor është jashtëzakonisht i dështuar dhe situata tani është dramatike në Napoli, me rradhë të gjata makinash përpara urgjencave dhe infermierë që shpërndajnë oksigjen në parkingje.