Ekonomi Rënia e euros mund të arrijë nivele rekord

Rënia e euros mund të arrijë nivele rekord

Euro po i afrohet sërish nivelit më të ulët në 11 vjet, që është arritur në 19 qershor të këtij viti.

Monedha e përbashkët europiane i është rikthyer rënies, pas një periudhe gjatë së cilës ishte stabilizuar në rreth 122 lekë, duke reflektuar forcimin e efekteve sezonale, të pranishme gjithnjë në këtë periudhë të vitit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.74 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.17 lekësh në raport me një ditë më parë. Që nga e enjtja e javës së kaluar kur u rrit në 122.3 lekë, monedha e përbashkët, ka rënë me 0.55 lekë.

Aktorët e tregut valutor pohojnë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, si të ardhurat nga turistët dhe shtimi i prurjeve të emigrantëve.

Të dhënat e INSTAT treguan së në 6 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve në vend ka arritur në nivel rekord, që kulmuan në qershor. Sipas këtyre të dhënave, në qershor 2019, kanë hyrë 630.334 shtetas të huaj në vend. Krahasuar me qershorin e vitit 2018, ky numër është rritur me 27,%. Vendin e parë e mbajnë shtetasit nga Kosova, me një rritje të ndjeshme prej 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Në total kanë hyrë 213.5 mijë shtetas nga Kosova. Në vend të dytë janë maqedonasit, me rreth 68 mijë hyrje dhe një rritje prej 14,3%. Nga Greqia kanë hyrë 10% më shumë (rreth 46 mijë) shtetas. Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar edhe të italianëve, hyrjet e të cilëve u rritën me rreth 9% (41.5 mijë shtetas). Rritje të ndjeshme kishin turistët nga Anglia, me 34% (14.3 mijë) dhe nga Mali i Zi me 35% (rreth 38 mijë). Të ardhurit nga Zvicra u rritën ndjeshëm me rreth 55%, por gjithsesi ata mbetet shumë të paktët në numër, rreth 5 mijë persona.

Ky fluks i vizitorëve të huaj ka rritur dhe ofertën e valutës në vend, duke ndikuar në rënien e euros.

Përgjithësisht tendenca pritet të vazhdojë, sidomos në gusht, kur krahas turistëve, kthehen edhe emigrantët, një tjetër faktor që nxit ofertën për valutë në vend.

Për periudhën 3 janar-24 korrik të këtij viti, kursi mesatar i këmbimit të euros është 124.5 lekë, nga 127.6 që ishte mesatarja e vitit të kaluar duke u luhatur në nivelin më të ulët që nga viti 2008.