Ndërsa valutat kryesore kanë shënuar rënie të ndjeshme gjatë kësaj jave në tregjet ndërkombëtare, me shumë gjasa në pritje të vendimmarrjeve shumë të rëndësishme nga Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Europiane, zhvlerësimi i tyre në tregun shqiptar është edhe më i fortë për shkak të mbiçmimit të lekut.
Agjentët e këmbimit valutor të pyetur nga Scan Televizion e lidhin këtë mbiçmim më së shumti me faktorë të brendshëm sesa të jashtëm. Sipas tyre, për një seri faktorësh, ku hyn edhe ai sezonal, në treg ka sasi të konsiderueshme valutash, veçanërisht të monedhës së përbashkët europiane. Ndërkohë që ndikim të dorës së parë në këtë mbiçmim të lekut ka pasur situata e reshjeve.
Për shkak të rritjes së prodhimit vendas, KESH nuk ka pasur nevojë të sigurojë sasi të konsiderueshme eurosh në tregun e brendshëm.
Rënia e fortë e monedhave kryesore, veçanërisht euros e dollarit, është vërejtur gjatë gjithë kësaj jave, për t’u thelluar edhe më tej gjatë së mërkurës. Sipas të dhënave të përditësuara të Bankës së Shqipërisë, vetëm me një ditë më parë, dollari është nënçmuar me 1.7 pikë në raport me lekun, me një mesatare të çmimit në blerje prej 107.1 lekësh dhe në shitje prej 108.1 lekësh.
Diçka më i ulët ka qenë nënçmimi i monedhës së përbashkët europiane në raport me lekun. Ajo ka rënë me 0.39 pikë krahasuar me një ditë më parë, me çmim mesatar në blerje 114.4 lekë dhe në shitje, 115.1 lek.
Edhe më të dukshme qenë rëniet e shënuara të martën. Dollari amerikan regjistroi një rënie shumë të fortë të kuotës nga e hëna duke humbur gati 2 pikë brenda natës. Monedha europiane gjithashtu ka shënuar zbritje të ndjeshme të vlerës të mërkurën./Scan