Aktualitet Rënie e pandalshme: Emigrimi kyç dhjetëra shkolla në qarkun e Shkodrës

Rënie e pandalshme: Emigrimi kyç dhjetëra shkolla në qarkun e Shkodrës

Oborri i shkollës 9-vjeçare në fshatin Obot është mbuluar nga ferrat

Në qarkun e Shkodrës, 19 shkolla publike janë mbyllur në 5 vitet e fundit, ndërsa dhjetëra të tjera janë kthyer në shkolla me klasa kolektive si pasojë e emigrimit – një proces që i dëmton fëmijët vështirëson punën për mësuesit.

Nga Emi Kalaja – BIRN

Oborri i shkollës 9-vjeçare në fshatin Obot të Shkodrës është mbuluar nga ferrat prej kohësh, ndërsa një dry i ndryshkur nga mospërdorimi mban mbyllur portat e saj. Vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, shkolla ka 5 vite që është mbyllur dhe aty nuk ka më asnjë nxënës, pasi nuk ka mbetur asnjë fëmijë në këtë fshat.

Kryeplaku i fshatit, Gregor Pemaj, përlotet kur e pyesin për shkollën dhe fëmijët e munguar në fshat.

“Nuk ka më lindje në fshat, vetëm ndonjë ceremoni mortore. Turp të themi se jemi të lumtur, pasi do vijnë familjarët nga jashtë për t’i bërë nderimet e fundit dhe fshati për një kohë gjallërohet disi,” i tha ai BIRN-it.

Oboti është një fshat i njësisë administrative Ana e Malit në Shkodër – një zonë e njohur për shtypshkronjën e parë dhe portin. Por gjatë viteve të fundit, fshati është gërryer nga shpopullimi dhe emigrimi.

Pemaj kujton se jo shumë kohë më parë në kishë mblidheshin rreth 400 vetë, kurse tani nuk ka mbetur thuajse asnjëri.

“Do të doja të shihja edhe njëherë rrugën e mbushur me djem dhe nuse, shkollën plot me nxënës, kishën që mbushej me 400 njerëz. Kam shpresë ta shoh edhe një herë,”, thotë me nostalgji ai.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga zyra vendore e arsimit parauniversitar në qarkun e Shkodrës tregojnë se vetëm në 5 vitet e fundit janë mbyllur 16 shkolla publike, ndërsa 3 të tjera kanë zero nxënës, edhe pse nuk janë mbyllur formalisht.

Për aktivistë të shoqërisë civile, kjo është shenjë e problemeve të thella që i kanë shtyrë njerëzit drejt largimit.

Kolindo Vjerdha, aktivisti i “Qëndresës Qytetare” në Shkodër thotë se rënia e numrit të nxënësve është e pandalshme dhe pasojat e saj ndjehen në të gjithë sistemin.

“Arsimi në përgjithësi, por sidomos ai parauniversitar, po përballet me fenomenin e shpopullimit masiv. Në 4 vitet e fundit, bankat e shkollës i mungojnë 56,000 nxënës, gjë që ka sjellë edhe 2000 mësues më pak në sistem. Vetëm në Bashkinë Shkodër, ka 712 nxënës më pak në bankat e shkollës këtë vit, një tregues i rënies graduale të numrit të nxënësve dhe boshatisjes së shkollave”, thotë Vjerdha.

Kushte të mjerueshme

Mimoza Rexhvelaj, mësuese me klasa kolektive në shkollën 9-vjeçare “Linaj” në Malësinë e Madhe që nga 2015, tregon se për të shkuar në shkollë duhet të sakrifikojë shumë.

Ajo udhëton çdo ditë dhe për të mbërritur në shkollë duhet të ndërrojë tre autobusë, Grizhë-Vrakë, Vrakë-Gruemirë, Gruemirë-Linaj. Madje për disa kohë ajo rrugën e ka bërë në këmbë, sepse nuk kishte rrugë makinash dhe kushtet ishin tepër të ështira.

Megjithatë, Rexhvelaj thotë se deri shtatë vite më parë mësimi zhvillohej normalisht dhe profesioni i mësueses i jepte asaj kënaqësi.

Mësuesja fajëson pjesërisht mungesën e rrugës dhe infrastrukturës për largimet dhe rënien e numrit të nxënësve vit pas viti. Sot shkolla ka 15 nxënës dhe dy klasa kolektive. Rexhvelaj thotë gjithashtu se mësimi në këto kushte është i vështirë dhe mezi menaxhohet ngarkesa dhe procesi mësimor.

Kushtet e shkollës tregojnë sipas Rexhvelajt edhe arsyet për braktisjen masive. Ajo thotë se në një kohë kur arsimimi po digjitalizohet, shkolla e saj nuk ka energji elektrike dhe as salla me kompjuter apo kushte minimale për mësimdhënie në vitin 2024.

Kjo ia vështirëson asaj punën, pasi i duhet shpesh të punojë në orë shtesë në salla interneti për të realizuar objektivat që kërkohen. Por për nxënësit, Rexhvelaj thotë se situata është “dyfish më e vështirë”.

Kolindo Vjerdha, aktivisti i “Qëndresës Qytetare” thotë se mungesa e infrastrukturës është një ndër arsyet për braktisjen masive të këtyre zonave.  “Për të mos folur pastaj për shkollat në Qarkun Shkodër, pa investime në infrastrukturë, pa ngrohje dhe digjitalizim të procesit mësimor, ku akoma mesatarja është një kompjuter për 20 nxënës,” thotë ai.

Sipas tij, kjo situatë që ka sjellë edhe braktisjen masive, po ndikon thellë në sistem duke dëmtuar rëndë arsimimin e fëmijëve.

“Mjafton të masim efektivitetin dhe produktivitetin e nxënëve në shkollat shqiptare duke analizuar rezultatet e PISA-s, ku rezulton se 73.2% e nxënësve janë ngelës në lexim, pra thënë ndryshe analfabetë funksionalë, nxënës që lexojnë, por nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë, po ashtu 67% e nxënësve janë ngelës në shkencë dhe 74% e nxënësve janë ngelës në matematikë. Këto tregues dëshmojnë për cilësinë reale të arsimimit në shkollat shqiptare,” thotë Vjerdha.

Ai vlerëson gjithashtu se pasojat janë sociale dhe ekonomike. Qindra mësues humbasin vendin e punës dhe dhjetra fshatra në të cilat shkolla shërben si qendër komunitare e humbasin atë si pikë referimi.

Dhjetëra shkolla të mbyllura

Zyra Arsimore Rajonale, e cila u zhvendos në Lezhë me reformën e disa viteve më parë, i tha BIRN në një përgjigje zyrtare se dhjetra shkolla ishin mbyllur në pesë vitet e fundit, ndërsa në dhjetra të tjera mësimi bëhej në klasa kolektive.

“Në bashkinë e Shkodrës janë 37 shkolla të arsimit parauniversitar brenda ZVAP Shkodër, që zhvillojnë mësim me klasa kolektive. Në pesë vitet e fundit, brenda territorit ku ushtron veprimtarinë ZVAP Shkodër, janë mbyllur 6 shkolla publike dhe 4 private,” thuhet në përgjigje zyrtare.

Në Vaun e Dejës, 15 shkolla zhvillojnë mësim në klasa kolektive, ndërsa edhe pse nuk ka shkolla që janë mbyllur, tre prej tyre kanë regjistruar 0 nxënës dhe konsiderohen jofunksionale.

Zonat më të prekura nga shpopullimi dhe mbyllja e shkollave janë Puka dhe Fushë-Arrëzi, ku ka 31 shkolla që zhvillojnë mësim në klasa kolektive dhe janë mbyllur 10 shkolla në pesë vitet e fundit.

Por edhe pse të dhënat janë për 5 vitet e fundit, historia e mbylljes së shkollave ka një dekadë që ka filluar. Vetëm në zonën e Dukagjinit, BIRN mësoi se vitet e fundit janë mbyllur 3 shkolla: Shkolla Lekaj, Shkolla Lotaj dhe Shkolla Nënmavriq dhe nxënësit e këtyre shkollave u duhet tani të ecin shumë kilometra në terren të vështirë për të zhvilluar mësim në tre shkolla të bashkuara.

Për zëdhënësin e Kishës Katolike në Shkodër, Dom Mark Pashkja, situata është alarmante. Ai thotë se fenomenin e shpopullimit dhe pasojat e saj i përjeton çdo ditë në famullitë e Beltojës, Ashtës dhe Kosmacit.

“Po ju sjell rastin e Beltojës, pasi mbaj statistikat konkrete. Ky fshat ka 273 shtëpi, nga të cilat vetëm 50 janë të banueshme, pjesa dërmuese janë të moshuar. Nga këto 50 familje, vetëm 10 prej tyre kanë fëmijë në moshë shkolle, ndërsa në shtator kam informacion të sigurt se edhe 3 familje nga këto do të lëvizin jashtë,” tregon Dom Mark Pashkja për BIRN.

Ai thotë se shkollat në këto zona të shpopulluara janë praktikisht të mbyllura, funksionojnë vetëm për të mos hedhur mësuesit në rrugë.

Kleriku mendon gjithashtu se edhe aty ku kanë mbetur pak fëmijë, mësimi në klasa kolektive më shumë po i dëmton nxënësit.

“Klasat kolektive ndikojnë edhe në aspektin social dhe psikologjik, pasi po bashkojnë një nxënës 10-vjeçar me një 14-vjeçar dhe ka pabarazi. Ata nuk arrijnë të shijojnë as orën e edukatës fizike dhe të tjera si këto. Gjithçka është shumë e sforcuar dhe po dëmton brezin e ardhshëm në mënyrë të parikuperueshme,” përfundoi kleriku.