Në kuadër të megaoperacionit antikanabis të koduar “Fokus” ditën e djeshme u vunë në pranga 3 ushtarakë që lejuan kultivimin e kanabisit dhe në repartin e ushtrisë në Zall Herr.
Lidhur me kanabisin e gjetur në repartin ushtarak, është pyetur nga gazetarët ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë pronocimit që ai dha për mediat pas kryerjes së homazheve në nderim të ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Fadil Canaj.
Ministri Balla tha se për këtë operacion kanë bashkëpunuar Policia e Shtetit dhe ajo Ushtarake.
“Goditja e ligjit përkundrejt çdolloj veprimtarie kriminale do të vazhdojë. Dua të ju bëj me dije se në rastin që ju përmendni, në operacionin që kemi ndërmarrë në shkallë kombëtare kundër kultivimit të lëndëve narkotike, në rastin në fjalë kemi pasur bashkëpunim tepër të shkëlqyer dhe me Policinë Ushtarake dhe në atë koordinatë kemi vepruar së bashku, Policia e Shtetit dhe Policia Ushtarake”, tha Balla.
Ushtarakët Gramoz Mullai, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda që me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e 125 bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak të Zall Herrit. Po ashtu u vunë në hetim dhe 4 ushtarakë të tjerë, mes të cilëve zëvendëskomandanti i togës dhe komandanti i Repartit të Zall Herrit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se personat përgjegjës për kultivimin në zonën ushtarake janë pezulluar nga detyra.