Aktualitet 885 shqiptarë të arrestuar në Greqi, më shumë se gjysma për trafik...

885 shqiptarë të arrestuar në Greqi, më shumë se gjysma për trafik droge

Aktiviteti i rrjeteve shqiptare të drogës ishte në rritje në Greqi gjatë vitit 2022, vlerëson një raport i fundit i Departamentit të Antidrogës greke.

Sipas Zërit të Amerikës, raporti thotë se mbi 40 për qind e kanabisit të bllokuar në Greqi gjatë vitti 2022 kishte hyrë nga Shqipëria, ndërsa rrjetet shqiptare kanë peshë pas atyre greke në trafikun dhe shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.

Raporti thotë se një në katër të arrestuar përgjatë vitit të kaluar për vepra penale në fushën e narkotikëve ishte shqiptar. Rolin më të madh, shqiptarët e kanë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës, ku një në tre të arrestuar ishte shqiptar.

Gjatë vitti 2022 për veprat penale në transportin dhe shpërndajen e kanabisit u arrestuan në Greqi 885 shtetas shqiptarë nga 748 që ishin arrestuar në vitin 2021. Sasia totale e kanabisit, e përpunuar dhe e papërpunuar, e sekuestruar në vitin 2022 në Greqi ishte 6,2 tonë ndërsa rreth 2,5 tonë u identifikua se vinte nga Shqipëria”, thuhet në raportin e Antidrogës greke.

Sipas raportit kanabisi i papërpunuar importohej në Greqi, kryesisht përmes kufirit tokësor nga Shqipëria me automjete te përshtatura për të fshehur sasinë e lëndës narkotike, por edhe me kafshë, si mushka apo gomerë.

Rrjetet shqiptare janë aktive dhe në trafikun dhe shpërndajen e heroinës ku shtetasit shqiptarë përbënin 19% të pjesëtarëve të grupeve kriminale, renditur pas shtetasve greke që përbënin 68% të grupeve kriminale.

Edhe në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës shqiptarët përbënin 31 % të anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, renditur të dytët pas grekëve që përbënin rreth 57% të autorëve të arrestuar.