Rovena Gashi ka dalë sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Ajo kërkon të rikthehet në detyrë si prokurore.
Mbrojtjen e saj, Gashi ka vendosur t’ia besojë së motrës, Alma Gashit, e cila ka replikuar me vëzhguesit ndërkombëtarë.
“Nuk jemi njoftuar që do ishte ky vëzhguesi ndërkombëtar i ONM (Theo Xhacobs) që do merrte sot pjesë në këtë seancë”, tha Alma Gashi.
Debatet
Rovena Gashi: Do të asistohem në proces nga Ema Gashi.
Albana Shtylla: Është edhe e afërmja juaj?
Rovena Gashi: Po, është motra ime, gjyqtare në Durrës.
Ema Gashi: Jam gjyqtare në Durrës. Dhe vajza e babait tonë që i keni bërë Vetting prej një dekade pa qenë fare subjekt i ligjit. Me email na është thënë se përfaqësues do të jetë nga OMN-ja Mia Rozing.
Po ashtu për arsye shëndetësore na është thënë se nuk është dot e pranishme sot për arsye shëndetësore. Në mënyrë të papritur këtu shohim së është Teo Jacobs.
Ka ndonjë akt për zëvendësimin e përfaqësuesit të OMN-së në këtë proces? Në çfarë cilësie e zoti Teo Jacobs është këtu?
Teo Jacobs: Emri im nuk është Mia por Teo dhe këtu përfaqësoj OMN-në. Kolegia ime është e sëmurë në shtëpi dhe roli im është që të monitoroj dhe të ndjek këtë seancë.
Ema Gashi: E kuptuam që nuk paska një vendim të ONM-së për zëvendësimin e Mias me Teo Jacobs.
Kreu i trupës, Albana Shtylla: Do të doja të limitoheni në vijimin e diskutimit pas vendimmarrjes dhe kërkesës paraprake që paraqiti vëzhguesi.
KPA ndërkohë, refuzoi kërkesën e Gashit për t’u asistuar nga e motra e saj Ema Gashi në këtë proces.
KPA e ftoi Gashin të zgjedhë një ndihmës tjetër ligjor, nëse e sheh të arsyeshme.
Ema Gashi reagoi ndaj vendimit duke u shprehur: Nuk mund të mbyllet seanca, kisha kërkuar fjalën. Ne jemi hetuar familjarisht pa asnjë arsye.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shtyu për me 23 prill seancën gjyqësore për ankimin e Rovena e Gashit, lidhur me shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme e cila është e pezulluar për shkak të një procesi penal, është e para që hapi një betejë me Komisionin e Vettingut.
Më 25 korrik të këtij viti, ish-drejtorja e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, u shkarkua nga detyra.
KPK ishte shprehur se Gashi ka mospërputhje me deklarimin e pasurisë.
“Rezulton se ka mospërputhje mes çmimit për blerje të apartamentit, nuk ka deklaruar burime të ligjshme për këtë blerje, që nga pagesa e parë prej 30 mijë eurosh e më pas edhe për burimin prej 50 mijë eurosh.
Sipas KPK-së, janë bërë deklarime të pasakta, janë kryer akte fiktive noteriale dhe janë dhënë përgjigje të pasakta për pyetjet e KPK-së”.
Rovena Gashi njihet si krahu i djathtë i Adriatik Llallës.