Në Republikën Çeke ka nisur të hënën testimi i së ashtuquajturës “karantinë e mençur”, e cila parasheh që përmes të dhënave nga kompanitë e telefonisë celulare dhe kartat bankare, të gjurmohen kontaktet e njerëzve të prekur me koronavirus.
Kjo masë, e cila ka rezultuar e suksesshme në Tajvan dhe Kore të Jugut, do të zbatohet fillimisht në rajonin çek të Moravisë së Jugut, me synimin që të gjithë qytetarët çekë të lirohen sa më shpejt nga kufizimet e lëvizjes.
“Karantinën e mençur” e organizon ushtria, ndërsa menaxhohet nga kreu i Shtabit Qendror Kombëtar të Krizave, epidemiologu Roman Primula.
Ai ka thënë se pas Festës së Pashkëve, që i bie në mes të prillit, kjo masë do të zbatohet në të gjitha rajonet çeke.
“Karantina e mençur” do të thotë që, me pëlqimin e personit të infektuar, ofruesi i telefonit të tij celular do të përcaktojë vendndodhjen e tij dhe, përmes GPS-it apo të dhënave të tij bankare, do të përcaktojë se ku ka lëvizur gjatë pesë ditëve të fundit dhe cilët persona mund t’i ketë infektuar.
Personat me të cilët ka qenë në kontakt i infektuari, do të duhet të izolohen.
Për “karantinën e mençur”, ushtria ka ndarë 253 trupa dhe 82 automjete.
Aktualisht, në Republikën Çeke janë 2,866 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa 17 pacientë kanë vdekur.
Kryeministri çek, Andrej Babis, ka thënë më 27 mars se pret që Qeveria e tij ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë të tjera.
Dekreti aktual përfundon më 11 prill.
Parlamenti duhet të miratojë çdo zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme./REL