Plot 2000 pjata të thyera për të nderuar një klient special, si Mohamed Salah. Ka ndodhur të hënën, në një restorant në Dubai, ku pronarët e një restoranti grek e kanë pritur futbollistin egjiptian të Liverpulit sipas traditës antike greke.
Sulmuesi ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për disa ditë pushime, pasi humbi dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Afrikës me Egjiptin për shkak dëmtimi. Dhe pritja për të është mjaft e veçantë.
Tradita e thyerjes së pjatave është një lloj vlerësimi për një muzikant ose balerin. Është pjesë e së ashtuquajturës “kefi”, një shprehje emocionuese e gëzimit dhe kënaqësisë. Ndodh të thyhen pjata gjatë manifestimeve të ndryshme artistike, si një mënyrë për të mbrojtur artistët nga shpirtrat e këqij. Mohamed Salah është një artist i topit, kështu që tradita në princip vlen edhe për të.
Futbollisti egjiptian, pas kësaj pritjeje, është shoqëruar nëpërmjet kopshtit të restorantit në një vend të posaçëm, ku ka drekuar në qetësi.
Salah ka pësuar një dëmtim në kavilje gjatë ndeshjes me Leiçesterin, një dëmtim që është përkeqësuar gjatë sfidës me Mançester Sitin, duke e detyruar sulmuesin të dilte para kohe. Në Dubai shoqërohet nga një mjek i Liverpulit, i cili ndjek nga afër procesin e rehabilitimit, edhe pse duket e sigurt se Salah do ta humbë ndeshjen e radhës në kampionat.