Politika Tirana mikpret organizatat më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane

Tirana mikpret organizatat më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane

Tirana mikpriti sot takimin e organizatave më të mëdha rinore të vendeve Adriatiko-Joniane, në një kohë kur kryeqyteti shqiptar është finalist për t’u shpallur “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022.

Eurorajoni Adriatiko-Jonian (AIE), në kuadër të Nismës AI-NURECC organizoi në kryeqytetin shqiptar Forumin e parë vjetor të Organizatës Rinore Adriatiko-Joniane duke u përqendruar në rolin e të rinjve për të krijuar kushtet e një dialogu të hapur midis Rinisë Adriatiko-Joniane, Organizatave Rinore dhe strukturave dhe aktorëve të EUSAIR.

Në një aktivitet me pjesëmarrjen e të rinjve nga vendet Adriatiko-Joniane, ishte i pranishëm kryetari i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi, ministri i Turizmit Blendi Klosi, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Sekretari i Përgjithshëm i Eurorajonit Adriatiko-Jonian, Francesco Cocco, drejtori i Përgjithshëm i CPMR për Ballkanin dhe Detin e Zi, Stavros Kalognomos dhe pjesëmarrës nga Italia, Kroacia, Mali Zi, Serbia, Greqia etj.

Në fjalën e hapjes kryetari i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi njëherazi dhe zëvendës president i Eurorajonit Adriatiko Jonian theksoi se Tirana bëhet qyteti i vetëm që nisma AI Nurecc ka pasur dy ndalesa, ku dhe një vit më parë u diskutua për inovacionin dhe teknologjinë dhe sot ku mori jetë forumi i organizatave rinore të hapësirës Adriatiko-Joniane.

“Bregdeti, zona e Adriatikut dhe Jonit është një pasuri e çmuar për të rinjtë, sepse potenciali i turizmit, agroturizmit, agrikulturës përfshirë nevojat e sotme për zhvillim të territorit, teknologjisë dhe inovacionit në këto fusha kanë nevojë për dialog, network, shkëmbim eksperiencash. Pikërisht ky është qëllimi që organizatat rinore të punojnë së bashku mbi këto mundësi dhe për të strukturuar po ashtu të ardhmen e tyre duke u mbështetur tek pikat e forta të territoreve ku jetojnë”, u shpreh zoti Dalipi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në fjalën e tij tha se ndajmë me të rinjtë, nismat e ndërmarra në mjedis dhe turizëm.

Ai tha se do të promovohen festivalet rinore, ture të përbashkëta, për të bashkuar të rinjtë në kauzat globale mjedisore dhe në zhvillimin e turizmit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë.

Në fjalën e tij kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi nismën e qeverisë shqiptare dhe qeverive të rajonit për të krijuar një  hapësirë ballkanike, ku përfituesit kryesorë do të jenë të rinjtë.

Ai falënderoi kryetarin e Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi për organizimin e këtij eventi ndërsa theksoi se nëse Tirana do të përzgjidhet si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022 do të jetë një histori suksesi.

“Pasnesër jepet vendimi final i të gjitha organizatave që kanë qenë pjesë e jurisë për të akorduar çmimin e Kryeqytetit Europian të Rinisë për vitin 2022. Do të jetë një hapësirë fantastike për ta kthyer Tiranën 365 ditë me aktivitete të tilla dhe kemi përgatitur një program shumë ambicioz”, deklaroi kryebashkiaku.

AI-NURECC është një iniciativë e përbashkët e palëve të interesuara kryesore që përfaqësojnë rajone, qytete, dhomat e tregtisë dhe universitetet e zonës Jon, EUSAIR.