Nga më ‘të vjetrit’ në Kombëtare, por në Europian edhe ai shkon për herë të parë. Berat Gjimshiti mbeti jashtë liste në 2016-ën, kur kuqezinjtë shënuan pjesëmarrjen e parë historike në një kompeticion madhor.
Ai, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala u shkurtuan në momentin e fundit nga trajneri i atëhershëm, Xhani De Biazi. Ajo foto e të katërve, teksa linin Kombëtaren, ka mbetur ende e stampuar në sytë e tifozëve kuqezi. Rashica, Rrahmani dhe Shala kaluan te Kosova, Gjimshiti qëndroi. Dhe bëri shumë mirë. Ja ku erdhi momenti i revanshit të mbrojtësit shtatlartë…
Me shiritin e kapitenit në krah Berat Gjimshiti do të jetë në Europianin e Gjermanisë verën e ardhshme. Moment krenarie për vetë lojtarin, por edhe për tifozët, të cilët e duartrokasin teksa e shohin në fushë të bëjë liderin e Shqipërisë. Për lojën patjetër, por më shumë për karakterin e tij.
Berat Gjimshiti uli kokën kur mësoi se nuk do të ishte në Francë 2016, nuk bëri asnjë polemikë. Vazhdoi punën e tij me këmbëngulje dhe ja ku arriti sot: kapiten i një Shqipërie të bukur për t’u parë dhe kompetitive, sigurisht.
Mbrojtësi ka marrë atë që iu mohua 7 vite më parë, padrejtësisht për shumicën e futbolldashësve shqiptarë. Pati një diskutim të ndezur në atë kohë se Gjimshiti e meritonte të ishte në listë para Veselit, por edhe trajnerët kanë ‘fiksimet’ dhe ‘kapriçot’ e tyre. Ky është një diskutim tjetër dhe tani pak rëndësi ka.
Berat Gjimshiti është tani ndër ‘violinat e para’ të një Kombëtareje ndryshe, me një profil shumë më simpatik dhe që nuk ka frikë nga asnjë kundërshtar. Lojtari më patriot për nga emri, e tregoi me vepra se është po aq patriot edhe ndaj fanellës kuqezi. Zoti dhe futbolli i dhanë atë që meritonte, ndoshta më shumë se gjithë të tjerët.