Sport Revolucion te Juventus: Di Maria do të largohet, njëri mes Chiesa-s dhe...

Revolucion te Juventus: Di Maria do të largohet, njëri mes Chiesa-s dhe Vlahovic është i tepërt

Pa Champions largohet edhe Rabiot. Juventusi do të riniset me një skuadër mikse mes të rinjsh dhe disa senatorësh. Mes këtyre të fundit është edhe Paul Pogba, i cili ka një kontratë të majme.

Makthi nuk ka përfunduar për Juventusin, situata mund të përkeqësohet. Pas dënimit me 10 pikë minus në renditje, është edhe çështja me manovrat e pagave, ndërkohë që pritet edhe një dënim tjetër nga UEFA. Skuadra torineze, me shumë mundësi do të mungojë në Championsin e sezonit të ri dhe kjo do të thotë më pak të ardhura, minimumi 50 milionë euro.

Në një situatë të tillë, skuadra duhet të rindërtohet, duke iu nënshtruar një revolucioni. Pjesa më e vështirë është që të sistemohen lojtarët e shumtë që rikthehen nga huazimet, si Arthur, Kulusevski, McKennie dhe Zakaria

Juventusi 2023-24 pritet të jetë një miks të rinjsh dhe disa senatorësh, si Perin, Danilo, Bonucci, Gatti, Bremer, De Sciglio, Fagioli, Locatelli, Miretti, Kostic dhe Iling. Në listën e atyre që do të largohen janë shumë emra, duke nisur me Paredes, i huazuar nga PSG.

Pa Europë do të jetë e vështirë të mbahet Rabiot, në fund kontrate. Pa Champions do të sakrifikohen lojtarë me peshë në skuadër dhe emrat më të përfolur janë Chiesa dhe Vlahovic. Asnjëri nga të dy nuk është i paprekshëm për Allegrin. Serbi pëlqehet në Premier Ligë dhe nga Bajerni.

Më komplekse është situata me Chiesa-n, pasi lojtari ka pasur dëmtime të shpeshta. Njëri mes këtyre dy lojtarëve është i tepërt te Juventusi. Ka ndryshuar era sa i takon Di Marias dhe rinovimi është shumë larg. ‘El Fideo’ do të largohet me një Juventus pa Champions.