Në shtëpinë e Juventusit po përgatitet një revolucion i vërtetë. Sipas medieve italiane, bardhezinjtë janë gati të nxjerrin në merkato 4-5 lojtarë të formacionit bazë.
Bëhet fjalë për emra të tillë si Pjanic, Douglas Costa, Mandzukic, Alex Sandro dhe Cuadrado, nga shitja e të cilëve do të përfitohej një shumë e rëndësishme, për të konsoliduar financat. Në pikëpyetje ndërkohë është emri i Paulo Dybalas.
Kampionët e Italisë po përgatitin ndryshime në radhët e skuadrës që kanë të bëjnë jo vetëm me largime por edhe me përforcime. Çdo gjë lidhet edhe me bilancin ekonomik të klubit torinez. E ardhmja e Pjanicit mbetet e paqartë. Për momentin duket se mesfushori boshnjak do të largohet dhe për ta zëvendësuar atë njëri prej kandidatëve është Eriksen i Tottenahmit, që synohet nga drejtuesit e Juventusit.
Dybala është pikëpyetja e madhe. Mbetet për t’u parë nëse argjentinasi do të qëndrojë. Ardhja e Ronaldos, por edhe performanca disi në rënie e sulmuesit, e kanë lënë atë në hije. Nëse largohet, sigurisht që Juventusi do të përfitonte një shumë të konsiderueshme. Gjithsesi, vera do ta gjejë Juventusin me një sërë ndryshimesh.