Akademiku Rexhep Qosja është nderuar në Prishtinë nga Kryeministri Edi Rama me Yllin e Medaljes për mirënjohje publike.
Në aktivitetin e zhvilluar me prezencë të delegacioneve të Qeverisë së Shqipërisë e të Kosovës, Rexhep Qosja u ndje i vlerësuar nga kjo medalje.
Ai e vlerësoi Kryeministrin Edi Rama si një nga politikanët më të suksesshëm në 30 vite në Shqipëri.
“Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipërisë në këto 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri. I cili ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politike shoqërore kombëtare shqiptare. Edi Rama nk është vetëm politikan. Edi Rama është edhe intelektual krijues. Ai është piktor dhe është edhe shkrimtar. Ai shkruan romane, trajtesa për çështje historike e për të tashmen, ai shkruan ese, ai shkruan trajta të ndryshme letrare dhe kritike eseistike. E ndjej veten shumë mirë dhe i privilegjuar që ky nderim m’u bë sot këtu në Prishtinë. E ndjej veten mirë që ky nderim i veçantë me këtë simbol të jetës e historisë sonë u bë pas takimit të dy delegacioneve, të Shqipërisë të kryeminstruar prej Kryeministrit Edi Rama dhe të delegacionit të Kosovës dhe të kryeministruar prej Albin Kurtit”.
Edhe për Albin Kurtin, Akademiku Rexhep Qosja ka shprehur vlerësimet, të cilin gjithashtu e konsideron intelektual njësoj si Edi Rama.
“Dua të them se si Edi Rama, edhe Albin Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Albin Kurtin duhet ta dëgjojmë e shikojmë në televizione kur paraqitet, kur paraqitet në tubime, duhet të dëgjojmë deklaratat e intervistat e tij për t’u bindur se Albin Kurti ka një kujtesë të jashtëzakonshme në të cilën janë mbledhur të dhëna, shumë të dhëna mbi historitë e Europës, SHBA, popujve e kontinenteve të tjera, të dhëna mbi gjeografitë. Prej fjalimeve të tij edhe mund të mësohet. S’mund të mos ju themi se Kryeministrit Edi Rama dhe Albin Kurti janë politikanë dhe intelektualë njëkohësisht edhe të kritikuar me arsye, shumë më shpesh të kritikuar edhe pa arsye. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore”.