Besimtarët janë rikthyer në xhaminë “Al Noor” në Christchurch, për herë të parë pas sulmit ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz. Ndërtesa ishte mbyllur me qëllim që policia të mund të përfundonte hetimet.
Nga sulmi 50 persona u vranë gjatë të shtënave në dy xhami më 15 mars.
Ndërsa xhamia “Al Noor” u rihap, rreth 3.000 vetë marshuan nëpër Christchurch këtë të shtunën, në atë që u quajt “Marshim për dashurinë” dhe që kishte si qëllim të nderonte viktimat.
Marshimi u krye në heshtje me pankarta në duar ku kërkohej paqe dhe kundërshtohej racizmi.
“Urrejtja ka sjellë kohë të zymta. Dashuria është kura më e fuqishme, për ta nxjerrë qytetin tonë nga errësira në dritë”, tha një prej marshuesve.
Një 28-vjeçar australian, supremacist i bardhë i vetëshpallur, është akuzuar për vrasjen e 50 viktimave dhe pritet të dalë para drejtësisë.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern vendosi të enjten ndalimin e të gjitha armëve gjysmëautomatike.
Ndërsa javën e ardhshme është paralajmëruar një ceremoni përkujtimore në nder të viktimave.