“Times Square” do t’ i rikthehet festimeve për natën e Vitit të Ri. Mijëra njerëz do të mund të mblidhen në sheshin më ikonik të Nju Jorkut për të pritur vitin e ri 2022 me zbritjen tradicionale të topit të ndriçuar në mesnatë.
Edicioni i vitit të kaluar u anulua për shkak të pandemisë, por këtë vit, hyrja në shesh do të lejohet vetëm për personat e vaksinuar ose ata që do të paraqesin një test negativ të Covid.
“Ne duam të kemi një festë të mrekullueshme të Vitit të Ri në këtë qytet. Ky qytet ka vuajtur shumë. Ishte një betejë heroike gjatë gjithë periudhës së Covid-it. Le ta kthejmë faqen. Kemi shumë për të festuar. Do të jetë një moment i shkëlqyer për Times Square në natën e Vitit të Ri”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio.
Turistët dhe tregtarët në Nju Jork thanë se ishin të emocionuar nga lajmi. Normalisht mbi një milion njerëz mbushin sheshin në natën e ndërrimit të viteve, por këtë vit nuk është ende e qartë sesa do të lejohen.