Lëvizjet e fundit të kryera nga Uashingtoni dëshmojnë rikthimin e madh të Amerikës në Ballkan, dhe këtë në Serbi po e cilësojnë si “pushtim”.
Duke analizuar pesë emrat që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka deleguar të merren për periudhën që po vjen në Ballkan, Uashingtoni ka treguar synimet serioze që i ka për rajonin.
Siç shkruan “Blic” në Serbi të gjithë këta zyrtarë kanë përvojë diplomatike, janë energjikë, dhe e njohin mirë Ballkanin. Ata ishin aktivë në rajon në vitet ’90-të.
Të martën në emisionin Desku në KTV, publicisti Veton Surroi duke i komentuar emërimet e reja të Biden në Ballkan u shpreh se me to është treguar nga SHBA-ja se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë dhe se duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse. “Është pranim se loja nuk ka mbaruar, se ky konflikt duhet të përfundojë dhe të arrihet marrëveshje. Fakti që shtetet e mëdha po dërgojnë njerëz më seriozë dhe më të përgatitur, është inkurajues”, ka thënë Surroi.
Ndërkaq Dimitrije Miliq nga “New Third Way” ka thënë për “Blic” në Serbi se me emërimet e reja është ngritja e rëndësisë së Ballkanit në çështjet politike të jashtme të Amerikës. “Ardhja e Christopher Hillit si ambasador është ndoshta treguesi më i mirë i kësaj. Është një nga diplomatët më kompetentë amerikanë, me përvojë në rajonet ‘me shumë rreziqe”, ka thënë ai. Sipas tij, dërgimi i këtyre zyrtarëve në rajon “s’ka ndodhur pa arsye”.
Gabriel Escobar
Gabriel Escobar është caktuar i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit që e njohin e kanë cilësuar si shumë energjik. Ai së fundmi e dëshmoi këtë me pjesëmarrjen në takimet për arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave në Bruksel. Biografia e tij tregon se ka qenë zëvendësshef i misionit në Ambasadën Amerikane në Serbi më 2019. Në ish-Jugosllavi ka mbajtur postin e shefit të stafit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Llukë dhe më pas të zëvendësshefit të ekipit diplomatik në Podgoricë.
Jeffrey Hovenier
Jeffrey Hovenier do të jetë ambasador i ri i SHBA-së në Kosovë. Njihet si “specialist për Ballkanin”. Turqia është vendi i fundit ku shërbeu si zëvendësshef i misionit. Ka punuar edhe në ambasadat në Greqi e Kroaci dhe s’ka shtet në Ballkanin Perëndimor ku s’ka qenë i përfshirë. Ai ka qenë pjesë e negociatave në Rambuje, si pjesëtar i ekipit të Martti Ahtisaarit. Ka ndihmuar në hapjen e ambasadës në Beograd më 2000 pas prishjes së raporteve në kohën e luftës në Kosovë. Dikur ka qenë shef i zyrës së përkohshme të SHBA-së, me punën që lidhej për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Më 2018, ka marrë medalje nga presidenti Hashim Thaçi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në deklarimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan Hovenier ka thënë se “do ta përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa citoj presidentin Biden, fokusi është te njohja reciproke”.
Christopher Hill
Në Serbi ambasador i ri amerikan do të jetë Christopher Hill. Ai cilësohet si njeriu që mund të përshpejtojë zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi. Shërbimi i tij i parë ka qenë pikërisht në Beograd dhe ishte bashkëpunëtori më i afërt i Richard Holbrooke dhe pjesëtar i ekipit në marrëveshjet në Dayton e Rambuje. Hill përveç që ishte ambasador në Maqedoni, ka shërbyer edhe si i dërguar i posaçëm për Kosovën në periudhën 1998-1999.
Michael Murphy
Ashtu si Hovenieri, Michael Murphy, ambasador i ri i SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë, është veteran i Departamentit të Shtetit dhe ka 29 vjet përvojë në politikat e jashtme. Ai aktualisht shërben si zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë e Euroazi. E njeh mirë Ballkanin, dhe kjo nuk është befasi sepse ka pasur pozita të larta në Sarajevë e Prishtinë. Në Bosnje ka qenë këshilltar në Ambasadë në periudhën 2006-2009 dhe në Kosovë zëvendësshef i Misionit amerikan në periudhën 2009-2012.
James O’Brien
James O’Brien që është nominuar për koordinator të politikave sanksionuese të Departamentit të Shtetit, do të merret edhe me Ballkanin. Ai konsiderohet si amerikani kyç në draftimin e Marrëveshjes së Daytonit, dhe i është atribuuar edhe shkrimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, në aneksin për marrëveshjen e paqes. Nga viti 1989 e deri më 2001 ka qenë këshilltar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, si zëvendësdrejtor i parë për planifikime politike dhe i dërguar për Ballkanin. Në qeverisjet e Clintonit nga viti 1993 e deri më 2001 ka punuar në Departamentin e Shtetit me fokus në çështjet e ish-Jugosllavisë dhe krimet e luftës. Ka punuar edhe me Barak Obamën në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht është zëvendëspresident i grupit këshillues ndërkombëtar “Albright Stonebridge”.