Bota Rikthimi i karantinës në disa vende europiane. Edhe në Greqi po shqyrtohet...

Rikthimi i karantinës në disa vende europiane. Edhe në Greqi po shqyrtohet mundësia

Teksa ritmet e infektimeve me Covid-19 janë sërish të larta ashtu si në fillim të pandemisë, shumë vende europiane po shohin si shpëtim rivendosjen e masave bllokuese për frenimin e përhapjes.

Qeveria greke po shqyrton mundësinë e vendosjes së këtyre masave në pjesën më të madhe të kryeqytetit grek. 24 orëshi i fundit shënoi rekord infektimesh në zonën e Atikës me 174 raste të reja. Në të gjithë vendin u shënua rekord absolut këtë 24 orësh me 453 raste infektimesh të reja. Ekspertët thonë se karantina është e nevojshme pasi situata mund të dalë jashtë kontrollit në çdo moment.

Ndryshe qëndron puna në Britani të Madhe. Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock i tha BBC-së para pak ditësh: “Ne duam të evitojmë një Lockdown komplet, por jemi të përgatitur edhe për këtë skenar.” Mbretëria e Bashkuar është me 42.000 të vdekur nga Covid-19, vendi më i prekur në Evropë.

Prej ditësh numri i infektimeve po shtohet atje. Edhe numri i pacientëve në spitale po rritet. Ndaj para një jave në spitale janë futur masa të rrepta kufizuese. Edhe në Britani, sikur në mbarë Europën, autoritetet po përpiqen që me krizën të përballen vetëm me kufizime në rajone të caktuara. Masa kufizuese janë futur në Birmingem, Glasgou dhe disa rajone të tjera.

Deri tani karantina është vendosur në Madrid. Në këtë vend, infektimet ditore për rreth një javë kanë qenë mbi 11 mijë. Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara arriti një pikë të re kulmore prej mbi 200 mijë, çka nënkupton se në çdo 5 të vdekur nëpër botë një është në Shtetet e Bashkuara.

Në shkallë globale, të prekurit nga Covid numërohen në 31.5 milionë mes të cilëve 970 mijë kanë humbur jetën dhe mbi 23 milionë janë shëruar.