Monedha e përbashkët europiane me sa duket ka arritur të rikuperojë humbjet e pësuara prej disa javësh.
Tashmë euro ka vijuar rritjen që prej fillimit të këtij viti. Monedha është forcuar me 0.2 lekë për njësi nga dita e martë, për të mbërritur në kuotën e 123.6 lekëve.
Nga ana tjetër, dollari amerikan dhe paundi britanik kanë qëndruar në të njëjtat vlera me një ditë më parë. Dollari vijon të këmbehet në pikat e këmbimet valutor për 107.8 lekë, ndërsa monedha britanike për 137.5 lekë në blerje dhe 138.5 lekë në shitje.
Ndërkohë, dollari australian është rritur ndjeshëm me plot 0.4 lekë për njësi ndaj monedhës vendase, lekut. Tashmë, valuta këmbehet për 77 lekë në blerje dhe 78 le në shitje. Të njëjtin trend rritës ka ndjekur edhe dollari kanadez, i cili ka zhvlerësuar lekun me 0.3 pikë, për t’u ngjitur në kuotën e 81.3 lekëve.
Ndërsa ka mbetur e pandryshuar nga një ditë më parë vlera e frangës zvicerane, e cila fiksohet në kuotën e 109.8 lekëve.
A do të zgjasë forcimi i euros?
Forcimi i euros është një tendencë sezonale në dy ditët e fundit të vitit dhe në fillim të janarit, pas rënies së saj në dhjetor si rrjedhojë e efekteve sezonale, që lidhen kryesisht me prurjet valutore të shtuara nga emigrantët.
Por aktorët e tregut janë skeptikë, nëse euro do të arrijë të mbajë këtë trajektore rritëse. Ata pohojnë që likuiditeti në euro është shumë i lartë, ndërsa kërkesa për monedhën e përbashkët është e ulët.
Në janar të një viti më parë, euro u rrit me shpejtësi në janar, duke arritur në gati 134 lekë në mes të tij, vetëm për të rënë me shpejtësi muajt e mëvonshëm, duke humbur rreth 11 lekë brenda 2018-s, duke shënuar në këtë mënyrë rënien më të madhe vjetore që nga 2014-a.
Këtë vit euro po e nis janarin në një nivel më të pafavorshëm prej gati 124 lekësh dhe ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që monedha e përbashkët të zbresë në 120 lekë, që nëse do të ndodhte do të shënonte nivelin më të ulët historik që kur euro doli si monedhe fizike në vitin 2002.