Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka votuar sot për të emëruar kryetarin e PD, Lulzim Basha, si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Më herët, Basha paraqiti një projekt rezolutë në Këshillin e Europës që bën thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.
Një propozim i ngjashëm po diskutohet edhe në Kongresin Amerikan ndërkohë që edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka kërkuar që Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit.