Sport Gjermania ëndërron Klopp për Botërorin 2026, por tani i duhet një trajner...

Gjermania ëndërron Klopp për Botërorin 2026, por tani i duhet një trajner të përkohshëm

Pas largimit të Flick, trajneri i tretë më i keq në histori dhe i pari i shkarkuar, Gjermania ka nevojë të gjejë një udhëheqës për Europianin e shtëpisë. Rudi Voeller, që e ka drejtuar Gjermaninë në Botërorin e 2002-shit, ku ajo zuri vend të 2-të, pas Brazilit të Ronaldos, ka bërë me dije se pas miqësores me Francën do jetë sërish drejtues dhe jo trajner.

Për drejtuesit e Federatës gjermane tani ka një dilemë: të gjejnë menjëherë një trajner, apo të presin Jurgen Klopp deri në fund të eksperiencës së tij te Liverpuli, që më pas të drejtojë ‘Nationalmannschaft’ në Botërorin e 2026. Nëse zgjedhin variantin e dytë, duhet të gjejnë një trajner të përkohshëm.

Klopp ka bërë me dije se në jetë ndodh gjithçka dhe se për momentin nuk e di se kur do të përfundojë aventura e tij në Angli. Gjithsesi, ai nuk do të qëndrojë përjetësisht aty. Jurgen Klopp, edhe nëse e merr drejtimin e Gjermanisë, do ta bëjë pas Euro 2024, që zhvillohet në Gjermani dhe është shumë i rëndësishëm.

Kush do ta drejtojë këtë kombëtare në Europianin e shtëpisë?

Një emër është Matthias Sammer, por ai nuk drejton që prej 2005-ës. Jurgen Klinsmann, ish-trajner i Gjermanisë në Botërorin 2006, dhe Lothar Mattheus janë kandidatë të tjerë. Tre emra të mëdhenj të futbollit gjerman.

Mes atyre që mund të marrin drejtimin e ekipit për një kohë të gjatë është Julian Nagelsmann, por kjo është një hipotezë e komplikuar, sepse sjellja e ish-trajnerit të Bajernit nuk është pëlqyer nga ambienti gjerman dhe drejtuesit e Federatës. Ka edhe një hipotezë për Van Gaal, por mosha nuk është në favorin e holandezit. Ja pse ideja konkrete është Oliver Glasner që ka bërë shumë mirë tek Eintracht Frankfurt, por tani është i lirë.