Pasojat nga dëmtimet që la tërmeti i 26 nëntorit, ka bërë që qeveria të nisë shpërndarjen e granteve prej 5.6 milionë dollarë për riparimin dhe meremetimi vetjak i banesave të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë. Nga këto grante përfitojnë banorët e atyre banesave të cilat kanë pësuar dëme të lehta dhe të mesme dhe që kanë nevojë vetëm për rikonstruksione të lehta, duke marrë pagesë me para në dorë.
Kryeministri Edi Rama tha sot se së shpejti do të nisë shembja e godinave që konsiderohen të pabanueshme dhe të gjithë banorët e këtyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë më të mira
“Nis dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave në Tiranë, të cilat u dëmtuan pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit. 200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje në banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë. Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD. Nga dita në ditë do të nisim punën në terren. Në Bashkinë e Tiranës do të fillojë shembja e godinave, që konsiderohen të pabanueshme dhe të parindërtueshme. Të gjithë banorët e atyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë më të mira”, tha Rama.
Në mbledhjen për dhënien e granteve të meremetimit vetjak të banesave në Tiranë, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se në fund të shtatorit në të gjithë zonën e dëmtuara do të bëhet programi i fundit konkluziv i rindërtimit.
“Në fund të shtatorit në gjithë zonën e dëmtuar do të jemi në terren me programin e fundit konkluziv të rindërtimit. Doja të falenderoja donatorët. Jemi aktivë me 115 milionë euro. Aktiv me arsimin dhe trashëgimin kulturore. Kemi KFV me tre shkolla, kemi qeverinë e Katarit me tre shkolla në Tiranë. Kemi qeverinë e Austrisë për të ndërtuar fshatin austriak. Me qeverinë turke jemi duke implementuar planin dhe do të njoftohen të gjithë banorët që do të shpronësohen.
Kemi përfunduar projektin në Spitallë dhe me Emiratete e Bashkuara. Janë dhe 12 shtete të tjera që kanë firmosur brenda fondit të zhvillimit. Kanë bashkuar fondet në 12.5 milionë euro. Do investojnë në infrastrukturë komunitare dhe në ndihmë të banorëve”, tha Ahmetaj.