Sport Rinovimi si dhuratë për Vitin e Ri, me kontratën e re Lautaro...

Rinovimi si dhuratë për Vitin e Ri, me kontratën e re Lautaro do arrinte 10 vjet me Interin

Nuk ka surpriza poshtë pemës, por Viti i Ri vjen me një goditje të madhe. Rinovimi i kontratës së Lautaro Martinez tek Interi është vetëm çështje detajesh.

Palët kanë punuar shumë javët e fundit dhe kanë rënë dakord gati për gjithçka. Lautaro ka dashur gjithmonë të qëndrojë tek Interi, edhe kur Barcelona dhe Real Madrid kanë provuar ta marrin sulmuesin argjentinas, apo edhe kur Arabia Saudite ishte gati t’i ofronte edhe …Hënën.

Kapiteni është shndërruar tashmë në njeriun simbol, imazhi i këtij Interi. Në ditët e para të janarit pritet që klubi të njoftojë zyrtarisht rinovimin të paktën deri në 2028-ën. Lautaro pritet të përfitojë 7 milionë euro neto në sezon, duke u bërë kështu lojtari më i paguar i skuadrës.

Një shpërblim ky për besnikërinë e treguar ndaj fanellës së Interit. Sulmuesi është bërë më lider që kur ka marrë shiritin e kapitenit, është thelbësor për skuadrën. Një sulmues modern, me kualitet dhe që sakrifikon. Gjatë këtyre 5 viteve në Milano ai është rritur javë pas jave, duke u bërë një lojtar top ndërkombëtar. Kupa e Botës që fitoi me Argjentinën në Katar ishte një stimul më shumë për të. Viti 2023 i Lautaros ka qenë në limitet e perfeksionit.

Në kampionat ka shënuar 13 gola në 14 ndeshje, një ritëm impresionues, që e shtyn atë të thyejë rekordet e Higuain dhe Imobile, me 36 gola në sezon.

Lautaro Martinez shihet si një nga flamujt e fundit të Interit. Luan prej 6 sezonesh këtu dhe mund të shkojë në 10 me rinovimin e kontratës. Do të ishte një nga sulmuesit më jetëgjatë, duke merituar edhe ‘yllin’ personal.