Shërbimi i Urgjencës Mjekësore ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të tij në të gjithë vendin duke iu nënshtruar një riorganizimi në mënyrë që pacientët të marrin shërbimin në një kohë më të shkurtër dhe më të specializuar. Ky riorganizim ka përfshirë një sërë pikash duke nisur nga numri i punonjësve të cilët do jenë në gjendje gatishmërie, automjeteve, aparaturave, etj.
Si do të funksionojë sot shërbimi i urgjencës në të gjithë vendin. Thirrjet telefonike të cilat do të bëhen nga i gjithë vendi nëpërmjet numrit jeshil 127 do të shkojnë në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit e cila me përshkrimin që do i bëhet rastit të urgjencës do të bëjë klasifikimin e urgjencës dhe ku duhet të marrë ndihmën mjekësore. Me pas me anë të aparaturave GPS, kjo qendër do të ketë nën monitorim të gjitha autoambulancat duke parë vendndodhjen e tyre, duke dërguar pranë pacientit autoambulancën e cila është më pranë vendndodhjes së tij, në mënyrë që të shkurtohet koha e vajtjes së ekipit mjekësor pranë pacientit. Po kështu, kur të sëmurët janë persona të cilat kanë probleme kardiake, Qendra e Komandës dhe Kontrollit do dërgojë pranë rastit një prej 21 autoambulancave të pajisura me defibrilator, aparaturë kjo që bën të mundur kryerjen e EKG-së, njohjen e infarktit të miokardit si dhe kryerjen e goditjes elektrike si dhe përdorimi i terapisë elektrike nëpërmjet këtij monitori në rastet e aritmive për pacientët me çrregullime kardiak. Po kështu, i gjithë ekipi i autombulancës do të jetë në funksion të pacientit për ofrimin e ndihmës së parë.
Me riorganizimin e sistemit të urgjencës është parashikuar edhe ndryshimi i vendndodhjes së autoambulancave në të gjithë vendin, duke mos qenë më të stacionuara në një pikë të vetme, por të shpërndara edhe në periferi të qyteteve apo edhe fshatra të cilët janë në distancë të largët. Ky ndryshim është marrë në mënyrë që ekipet mjekësore të jenë sa më pranë rasteve të urgjencës, për të shkurtuar kohën e pritjes dhe ofrimit të ndihmës mjekësore.
Ndryshimet kryesore që kanë ndodhur me sistemin e urgjencës kanë të bëjnë me rritjen e numrit të autoambulancave në të gjithë nvendin. Kështu nga 70 autoambulanca që kanë qenë në funksion të shërbimit të urgjencës në të gjithë vendin sot janë 127. Pjesë tjetër është pajisja e 21 prej tyre me defibrilatorëve multifunksionalë të cilët do të ndikojnë në përmirësimin e dhënies së shërbimit mjekësor si dhe kompletimi i gjithë të tjerave me medikamente dhe materiale mjekimi. Po kështu risi tjetër është shpërndarja e autoambulancave në disa pika të ndryshme në mënyrë që ato të jenë sa më pranë rasteve të urgjencës dhe jo grumbullimi i tyre në një pikë të vetme siç ka qenë deri më sot. Do të jetë autoambulanca e cila është më afër pacientit që do të shkojë direkt në vendin e ngjarjes. Trajnimi i ekipeve mjekësore për dhënien e ndihmës së parë është një tjetër risi. Ndërkohë që është shtuar edhe numri i mjekëve, infermierëve dhe shoferëve të cilët do të shërbejnë pranë urgjencave. “Duke filluar që nga viti 2017 ne kemi 538 punonjës më shumë në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës. Po kështu, kemi rritur numrin e autoambulancave të cilat do të jenë përgjatë 24 orëve në punë. Më konkretisht nga 70 autoambulanca që kanë qenë në funksion të këtij shërbimi sot kemi 127, por më e rëndësishmja është pajisja e një pjesë të mirë prej tyre me aparaturat e defibrilatorëve” ka pohuar dr. Skënder Brataj, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës. Sipas tij, Qendra Kombëtare e Komandës do të jetë ajo që do të marrë të gjitha thirrjet e urgjencave në të gjithë vendin dhe më pas do të bëjë rakordimin me ekipet mjekësore duke marrë parasysh vendndodhjen e urgjencës dhe autoambulancën që është më afër saj.