Arben Ristani foli pa ‘doreza’ sot në Top Talk duke thënë me zë shumë gjera që Demokratët ndoshta i mendojnë por nuk guxojnë t’i thonë. Përballë gazetarit Denis Dyrnjaja, ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se djegia e mandateve nga Opozita nuk ishte rruga e duhur, sidomos mosfutja në zgjedhje.
Ish-nr 2 i Partisë Demokratike është i mendimit se tani që opozita nuk e realizoi dot objektivin, Basha duhet të reflektojë.
“Ne momentin kur është marrë vendimi edhe unë kam qenë pjesë e trupës qe e mori vendimin për të djegur mandatet. U duk se ishte zgjidhja e vetme për të sensibilizuar Shqiptarët për të keqen që po ndodhte, për t’i thënë Shqiptarëve se kjo nuk behej per karriget e deputetëve të PD-së. Duhej kjo rrugë radikale edhe për të bindur partnerët ndërkombëtarë por tashmë rezultati është ky që kemi në tavolinë, që opozita e bashkuar nuk e arriti dot objektivin që zgjedhjet të mos realizoheshin, gjithashtu nuk u arrit të merrnim dot perkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Pra duke u nisur nga pasojat besoj se nuk ishte rruga e duhur, sidomos mosfutja ne zgjedhje. Por prapë është reflektim personal. Duke u nisur nga rezultati, për sa kohë nuk arritëm ta largojmë Ramën, për sa kohë nuk arritëm të moszhvilloheshin zgjedhjet në 30 qershor, duke u nisur nga rezultati, fakti është që rruga nuk ishte e duhura”.
I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja për faktin se opozita ndodhet e papërfaqësuar as në nivel vendor dhe as ne nivel qendror, Ristani tha: “Kjo e ka dëmtuar jashtë mase jo vetëm opozitën dhe elektoratin e djathtë por edhe me gjerë sepse e ka lënë elktoratin të papërfaqësuar. Nuk janë më pjesë e parlamentit, nuk janë më pjesë e pushtetit lokal, nuk janë pjesë e këshillave bashkiakë dhe ky është një dëm që i është shaktuar jo vetëm elektoratit të djathtë por edhe shqiptarëve”
Por a mund ta tkurrë kjo Partine Demokratike?
“Sigurisht që ka pasoja në elektorat sepse do të duhet që kjo të kompensohet. Duhet shtuar doza e njerëzve idealistë në ato nivele sa të kompensojnë qënien e opozitës jashtë institucioneve”, u përgjigj Ristani.