Kalifornia dhe Teksasi, dy shtetet më të populluara në Shtetet e Bashkuara, kanë kohë që janë në garë për të tërhequr kompani dhe talente. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 tregojnë se Teksasi po tërheq më shumë banorë – përfshirë edhe nga Kalifornia. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee shpjegon arsyet.
Nga ambientet gjigante, tek shtëpitë e mëdha, kushdo që jeton në shtetin e jugut amerikan e ka dëgjuar thënien se “gjithçka është më e madhe në Teksas”.
Për nga sipërfaqja, ai është shteti më i madh në Shtetet e Bashkuara. Por edhe popullsia po rritet.
“Cilësia e jetës është shumë më e lartë këtu në Ostën”, thotë Alex Backus.
Pothuajse dy vjet më parë, Alex Backus u zhvendos në kryeqytetin Ostën të Teksasit nga rajoni i Zonës së Gjirit në Kaliforni për vajzën e tij adoleshente.
“Shumica e fëmijëve që janë në Zonën e Gjirit kur diplomohen, duhet të largohen prej andej sepse është shumë shtrenjtë. E kuptova se në Ostën ajo në fakt mund të zgjidhte të qëndronte për të shkuar në kolegj dhe për të filluar jetën e saj”, thotë Alex Backus, banor i Teksasit.
Backus është shembulli real i një rivaliteti të gjatë mes Teksasit dhe Kalifornisë.
“Ato janë shtetet më të populluara në hapësirën kontinentale të Shteteve të Bashkuara. Të dyja kanë një lloj identiteti kombëtar, ndryshe nga çdo shtet tjetër”, thotë Bill Fulton me universitetin Rice.
Sipas Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë, Teksasi kohët e fundit ka fituar garën e popullaritetit. Dhe ndikimi do të ndihet deri në Uashington. Për herë të parë në historinë e saj, Kalifornia, një bastion demokrat, humbi një vend në Kongresin amerikan sepse popullsia e saj u tkurr paksa. Teksasi me prirje republikane, do të jetë përfituesi më i madh i të 50 shteteve, duke siguruar dy vende të tjera në Kongres. Arsyeja kryesore …
“Kur çmimet e shtëpive në Kaliforni u rriten, shumë njerëz u zhvendosën në Teksas”, thotë Bill Fulton me universitetin Rice.
Migrimi nga shtetet e shtrenjta si Kalifornia dhe Nju Jorku u rrit gjatë pandemisë.
“Shtetet që panë më shumë migrim vitin e kaluar janë gjithashtu shtetet që panë më shumë migrim në vitin 2019. Pandemia thjesht e përshpejtoi këtë tendencë.”
Një emër i famshëm që u zhvendos nga Kalifornia në Teksas gjatë pandemisë është Elon Musk, bashkëthemeluesi i kompanisë Tesla dhe SpaceX. Qendra e prodhimit të makinave Cybertruck të Teslës dhe anijeve Spaceport të SpaceX-it janë në Teksas. Kompanitë e teknologjisë Oracle dhe Hewlett-Packard si dhe firma komerciale e pasurive të patundshme CBRE të gjitha kanë zhvendosur selitë e tyre në Teksas, i njohur për mjedisin miqësor ndaj biznesit.
Por kjo nuk do të thotë se ka një eksod masiv të bizneseve nga Kalifornia.
“Gjithnjë e më shumë kompanitë po kërkojnë të diversifikojnë bazën e tyre të talenteve. Dhe është e llogjikshme që këto kompani të kërkojnë diku tjetër për të vazhduar të zgjerojnë mundësitë e tyre për talente.”
Investitorët e huaj gjithashtu e kanë vënë re Teksasin, thotë eksperti Job Hammond.
“Kam punuar me investitorë nga Malajzia dhe Nepali, Shangai, Pekini, Gjermania dhe Italia, madje edhe qyteti Mexico”, thotë ai.
Backus thotë se Teksasi mund të jetë më i lirë dhe të të sigurojë një jetë më të mirë shoqërore, por sezoni i verës është shumë më i nxehtë krahasuar me klimën më të butë të Kalifornisë Veriore, e pasur me aktivitete në natyrë.
“Unë ende e kam shtëpinë time atje. E jap me qira, dhe po mundohem të vendos nëse duhet ta mbaj sepse mund të dëshiroj të kthehem. Më ka marrë malli për të bërë ski në dëborë. ”
Ndërsa Backus përballem me atë vendim ai do të shijojë aktivitetet në liqenin e Ostënit dhe përfitimet e tjera që ofron kostoja më e lirë e jetesës në Teksas./VOA