Oliver Kahn, ish-portieri i Bayern Munich dhe i ekipit kombëtar gjerman, do të kthehet në Mynih në fillim të vitit të ardhshëm, si kryesues i bordit drejtues të bavarezëve, post i cili mbahet aktualisht nga Karl-Heinz Rummenigge. Këtë gjë e ka konfirmuar Uli Hoeness, presidenti aktual i klubit nga “Allianz Arena”.
“Është planifikuar që Kahn ta fillojë detyrën e re më 1 janar 2020. Ne jemi në biseda shumë konkrete me të”, – tha Uli Hoeness në një intervistë me agjencinë e lajmeve “DPA”. 49-vjeçari është zgjidhja për të pasuar Karl-Heinz Rummenigge në postin e drejtorit ekzekutiv, që tani është 63 vjeç. “Sidoqoftë, ne nuk jemi nën presion, sepse Karl-Heinz e zgjati kontratën e tij deri në fund të vitit 2021″, – shpjegoi Hoeness.
Rummenigge synon të tërhiqet nga pozita e tij në krye të bordit drejtues, pas gati 20 vitesh.
Hoeness beson se Kahn është i kualifikuar për këtë pozicion: “Më pëlqen zhvillimi i Oliver, pas karrierës së tij si futbollist. Ai është treguar fantastik si ekspert televiziv për futbollin. Zhvilloi një kurs në distancë për administrim-biznes dhe themeloi kompaninë e tij. Ne e kemi parë duke luajtur futboll si portier, në nivelin më të lartë, dhe në të njëjtën kohë ka spikatur në fushën e biznesit. Kjo na emocionon”.
Oliver Kahn ka lindur në Karlsruhe dhe ka luajtur te Bayern Munich në periudhën 1994-2008. Ai ka fituar tituj të shumtë me gjigantët gjermanë, duke përfshirë Ligën e Kampionëve, në vitin 2001.
Aktualisht, ish-portieri drejton kompaninë “Goalplay” dhe punon si ekspert futbolli për “ZDF”, kanalin e dytë të televizionit publik gjerman.